Treg

Rritet çmimi i naftës, ndërsa bota nis lehtësimin e masave të izolimit

Çmimet e naftës kanë pësuar rritje sot teksa vendet e ndryshme nëpër botë kanë nisur të lehtësojnë masat e kufizimeve prej koronavirusit duke i dhënë kështu një shtysë të fortë kërkesës për naftë bruto dhe nënprodukteve të saj.

Nafta bruto Brent LCOc1 është rritur sot me 87 cent, ose me 3%, e është aktualisht 30.33 dollarë fuçia, pasi kishte rënë me rreth 1% dje.

Nafta e ShBA-së, WTI CLc1, është rritur sot me 1.12 dollarë, ose me 4.8%, e është aktualisht 24.67 dollarë fuçia pas një rënieje prej 2% gjatë sesionit të djeshëm.

Të dy kontratat me afat të naftës janë drejt një jave të dytë në rritje çmimi pas niveleve shumë të ulëta të prillit (kur nafta bruto WTI ra madje nën zero) me naftën bruto të Brentit që ka pësuar këtë javë një rritje prej 15% ndërsa WTI më shumë se 24%.

Sidoqoftë nafta bruto vazhdon të çohet direkt nëpër magazina për t’u ruajtur duke ngritur shumë pikëpyetje që nëse vallë këto rritje të tanishme të  çmimeve nga kërkesa e fortë mbase do të ndërpriten.

“Çmimet e naftës po marrin vrull prej pritshmërive të kërkesës më të mirë. Ka shenja rritje por mendoj se tregu duhet që t’i shohë këto shenja të zgjerohen e thellohen akoma më shumë në mënyrë që të mbështetet vrulli”, shprehet Lachlan Shaw, drejtuesi i kërkimeve të produkteve të ndryshme financiare në Bankën Kombëtare Australiane të Melburnit.

Përsa i përket ofertës të naftës, kompanitë amerikano-veriore po ndërpresin prodhimin më shpejt seç zyrtarët e OPEC-ut e analistët e industrisë prisnin dhe janë drejt një rruge të prodhimit të 1.7 milionë fuçive nafte më pak çdo ditë gjer në fund të qershorit.

“Ndërprerjet e ofertës që jemi duke i parë, e veçanërisht nga Amerika e veriut, po i japin konfidencë tregut”, shprehet Shaw.

Por prapë, magazinimet (apo inventarët) e naftës bruto të ShBA-së  janë rritur me 407 mijë fuçi këtë javë sipas të dhënave nga Genscape (kompani që merret me monitorimin e statistikave e të dhënave në kohë reale për tregjet financiarë).

Australia të premten u bë vendi më i ri që po nis me planifikimin e lehtësimit të masave izoluese, teksa numri i infektimeve nga virusi po ulet.

Franca, shtete të ShBA-së dhe Pakistani gjithashtu po planifikojnë për të lehtësuar masat e kufizimeve që ishin vënë për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të krizës më të keqe shëndetësore që ka përjetuar planeti ynë në këtë shekull.

Në ShBA, konsumatori më i madh i naftës dhe nënprodukteve të tij, motoristët po nisin t’iu rikthehen rrugëtimeve me lehtësimin e masave kufizuese. Oferta e Benzinës në tregun amerikan është rritur me 6.7 milionë fuçi në ditë gjatë javës së kaluar, sipas përllogaritjeve të dhëna nga Administrata e ShBA-së e Informacionit të Energjisë (U.S. Energy Information Administration).

Çmimet e benzinës janë tregtuar në nivele të larta pas diskutimit të ShBA-së më Kinën për një pakt tregtie, përpara shpërthimit të koronavirusit. “Mesa duket de-shkallëzimi i armiqësive të mundshme tregtare nga telefonata e mëngjesit të sotshëm midis ShBA-së dhe Kinës ka sjellë të njëjtën ndjenjë optimiste”, shprehet Jeffrey Halley, analist i vjetër në  kompaninë e tregtimit të produkteve financiare OANDA.

Burimi Reuters, Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë