Ne rrjet

Rriten tensionet, Turqia çon anijet e naftës pranë ishujve grekë

Edhe pse pezulloi kërkimet, pasi Greqia mobilizoi flotën detare, Turqia ka vendosur të provokojë sot sërish Athinën zyrtare, duke dërguar anijet e shpimit të naftës pranë një prej ishujve të saj.

Vetëm disa ditë pas marrëveshjes Egjipt-Greqi për ndarjen e zonave detare, Turqia lëshoi ​​një paralajmërim të ri navigues, të hënën në mëngjes për të kryer operacione kërkimore sizmike gjatë dy javëve të ardhshme në jug të ishullit Kastellorizo ​​me anijen kërkimore Oruc Reis. Mësohet se ajo do të qëndrojë pranë ishullit, duke kërkuar për gaz deri më 23 gusht.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në të njëjtën kohë, Turqia filloi stërvitjet ushtarake të hënën në një zonë në juglindje të ishujve Kastellorizo ​​dhe Rodos, një aktivitet i njoftuar në 6 gusht.

Mes përshkallëzimit të situatës Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të kryesojë të hënën një takim urgjent të organit të lartë vendimmarrës të vendit për çështjet e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, për të diskutuar vendimin e Turqisë.

“Hapi i Ankarasë për të nisur kërkimet për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor është “jashtëzakonisht shqetësuese”, tha në një deklaratë Bashkimi Europian.

Turqia duket se po hakmerret për vendimin e Greqisë dhe Egjiptit për të krijuar një zonë ekonomike ekskluzive në Mesdhe, duke hedhur poshtë marrëveshjen Ankara-Libi. Ministria greke e  Mbrojtjes Kombëtare deklaroi të hënën në mëngjes në zonën e ishullit të Rodos dhjetëra varka turke po peshkojnë në ujërat territoriale greke.

“Mobilizimet e fundit detare në Mesdheun lindor … do të çojnë në një antagonizëm dhe përshkallëzim më të madh,” tha shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, duke e quajtur dërgimin e anijeve të kërkimit të naftës pranë ishujve grekë “jashtëzakonisht shqetësues”.

“Kufijtë detarë duhet të përcaktohen përmes dialogut dhe negociatave, jo përmes veprimeve të njëanshme dhe mobilizimit të forcave detare,” tha Borrell në një deklaratë. “Kjo rrjedhë veprimesh nuk do t’i as shërbejë interesave të Bashkimit Europian, dhe as atyre të Turqisë. Ne duhet të punojmë së bashku për sigurinë në Mesdhe”.

Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit në rajon vitet e fundit ka cuar në një përplasje të ashpërt mes Greqisë, Turqisë dhe Egjiptit, por edhe Qipros dhe Izraelit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi për rinisjen e operacioneve të Ankarasë të premten, duke akuzuar Greqinë se nuk arriti të mbante premtimet e saj.

Ministri i Shtetit, George Gerapetritis deklaroi mëngjesin e sotëm se Greqia është në gatishmëri të plotë politike dhe operative.

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë janë më të larta se kurrë në dekadën e fundit, madje burimet ushtarake greke thonë për gazetën “Elkathimerini” se nëse anijes kërkimore sizmike turke Oruc Reis prekin raftin kontinental grek, Turqia do të ketë përgjegjësinë “e plotë” për atë që do të pasojë.

Qeveria greke thotë se pavarësisht kërcënimeve të Turqisë dhe pretendimeve të dy vendeve për ujërat territoriale në Mesdhe, ku në një pjesë të madhe mbivendosen hartat e pretenduara të Zonave Ekskluzive Ekonomike, kërkimet për naftë nuk do të vazhdojnë.

Në mbështetje të Greqise, Qipro ka shprehur zemërimin që Turqia ka dërguar anije për kërkimin e naftës dhe gazit në Egje, por edhe në brigjet e saj.

Anije turke në Mesdhe, Gazeta Si, 2020

Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias tha në një deklaratë të hënën se kërkesa e Turqisë për të kryer “shpime nafte në zonën ekskluzive ekonomike greke  është pjesë e një sërë veprimesh të Ankarasë për të uzurpuar sovranitetin  dhe të drejtat e Greqisë”.

“Veprimet e paligjshme të Turqisë … nuk mund të përputhen me sovranitetin grek bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe ligjin detar,” tha Dendias, duke shtuar se Greqia “është e gatshme të përballet me këtë provokim të ri, nëse Turqia ecën përpara me planet për kërkimet për naftë”.

Anijet e kërkimit të naftës dhe shpimet në det të thellë i kanë kushtuar Ankarasë mbi 1 miliard dollarë në dekadën e kaluar, dhe nuk kanë dhënë akoma ndonjë zbulim madhor të naftës ose gazit. Në këto kushte, Turqia ka qenë e detyruar të fillojë kërkimet në ujërat e qeverive fqinje, përkatësisht pranë Greqisë dhe Qipros.

Pretendimet historike të Ankarasë në Detin Egje dhe në Qipro dhe ishuj të caktuar grekë kanë alarmuar fqinjët e saj mesdhetarë. Për më tepër, Turqia nuk është palë në marrëveshje të mëdha ndërkombëtare ligjore detare, të tilla si Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjet Detare, duke i dhënë asaj mundësinë e përcaktimit të zonave ekonomike dhe ujërave territoriale në rajon. 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë