Sociale

Rrjetet sociale po u heqin udhëtimeve elementin e befasisë

Shumica e turistëve mbërrijnë në destinacione që u duken tashmë të njohura, pasi kanë parë aq shumë përmbajtje në rrjetet sociale para nisjes së udhëtimit.

Rrjetet sociale po ndryshojnë mënyrën se si përjetojmë udhëtimet. Sipas një sondazhi ku morën pjesë mbi 10 mijë persona nga Europa, SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe Amerika Latine, 68% e udhëtarëve thanë se destinacioni i tyre i parë u dukej tashmë i njohur për shkak të përmbajtjeve që kishin parë në internet.

Po ashtu, 74% pranuan se i studionin destinacionet aq në detaje sa mbërrinin atje pa shumë surpriza, ndërsa 64% thanë se i njihnin monumentet dhe pikat panoramike falë videove në TikTok, Instagram dhe platforma të tjera.

Sipas Kirill Liakh, drejtor i Hint App që kreu studimin, kërkimi i tepërt ndihmon në uljen e pasigurisë para udhëtimit, por njëkohësisht e bën takimin e parë me një vend të ndihet më pak i veçantë.

Si ta riktheni elementin e befasisë?

Përdorni guida turistike tradicionale. Librat udhëzues, ofrojnë informacion të dobishëm pa zbuluar çdo detaj të destinacionit.

Flisni me njerëzit. Kërkoni sugjerime nga stafi i hotelit, qendrat e informacionit turistik, vendasit ose udhëtarët e tjerë. Shpesh rekomandimet më të mira nuk gjenden në internet.

Ecni pa një plan të ngurtë. Shëtitjet në këmbë mund t’ju çojnë drejt kafeneve, restoranteve apo muzeve të fshehura që nuk shfaqen në videot virale.

Ekspertët këshillojnë që, edhe pse teknologjia e bën udhëtimin më të lehtë, ia vlen të lini herë pas here telefonin mënjanë dhe t’i jepni vetes mundësinë të zbuloni një vend në mënyrë spontane. Në fund të fundit, surprizat janë shpesh kujtimet më të bukura të çdo udhëtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë