Analize

Rriten pagat minimale, Macron dorëzohet para jelekverdhëve

Ata donin më shumë sesa thjesht premtimet e një politikani. Ata donin masa zyrtare, donin të mos i kishin më xhepat bosh, donin ndryshime të prekshme në jetën e tyre të përditshme. Dhe presidenti Macron e mori mesazhin. Në fakt ai nuk kishte zgjedhje tjetër. Presidenti e dinte se nëse jelekverdhët nuk merrnin atë që donin, qeveria do të binte.

Në thelb të protestës së tyre ishin katër ndryshime të thjeshta: rritje e pagës minimale; ulja e taksave, pagesa sociale për punën jashtë orarit dhe rritja e pensioneve.

Emmanuel Macron ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka rënë dakord përnjë sërë “lëshimesh” ekonomike. Presidenti francez iu drejtua vendit, duke kërkuar të qetësonteprotestuesit antiqeveritarë të cilët shkatërruan Parisin në fundjavë.

Pas protestave shkatërrimtare në Paris, këtë fundjavë, qeveria franceze ka njoftuar se paga minimale do të rritet me 7% (100 euro) dhe madje se kostoja e kësaj rritjeje do të plotësohet nga qeveria dhe jo nga punëdhënësit.

Katër javë pasi u postuan videot e tyre të parë në Facebook, jelekverdhët kanë detyruar qeverinë franceze të ndërmarrin një riorientim të plotë të politikës sociale dhe ekonomike franceze. Dhe pa bërë asnjë listë zyrtare të kërkesave.

Ministri i qeverisë Olivier Dussopt njoftoi se kostoja totale e të gjitha masave ka gjasa të jetë midis 8 miliardë dhe 10 miliardë euro.

Macron, i cili deri më tani ka bërë një “sy qorr” gjatë protestave, pranoi se shumë njerëz ishin të pakënaqur me kushtet e jetesës dhe mendonin se të drejtat e tyre nuk ishin respektuar.

Ai tha se gjatë 40 viteve të fundit ishte ulur numri i fshatrave dhe lagjeve ku ishin përkeqësuar shërbimet publike apo kushtet e jetesës.

Kishte shumë "njerëz, statusi i të cilëve në shoqëri nuk respektohej mjaftueshëm. Në mënyrë frikacake, ne ishim mësuar me ketë fenomen dhe kishim bërë një sy qorr ndaj tij. Unë marr pjesën tim të fajit, pasi mund të kem lënë përshtypjen se kam shqetësime dhe prioritete të tjera. Unë di se disa prej jush janë lënduar nga fjalët e mia," deklaroi Macron gjatë një konference televizive.

Emanuel Macron

Macron, ish-bankier, është kritikuar vazhdimisht më parë për mungesën e kontaktit dhe mosinformimin me betejat e njerëzve të zakonshëm. Ai u përpoq të ndryshonte këtë përshtypje të hënën, duke u zotuar të takohet me kryetarët e bashkive nga të gjitha rajonet e Francës dhe të inkurajojë një "debat të pashembullt" me qytetarët.

"Ne duhet të trajtojmë çështjen e emigracionit," shtoi ai, duke i kërkuar gjithashtu kombit “të merrte parasysh ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera".

Por propozimet u hodhën poshtë nga përfaqësuesi i jelekverdhëve, Benjamin Cauchy, i cili tha në një intervistë televizive se: "Këto janë gjysmë-masa, mendojmë se Macron ka shumë më tepër për të dhënë". "Ne jemi të ngopur nga premtimet e politikanëve, francezët nuk besojnë më."

Kundërshtarët e tij politikë i dolën po ashtu. Kreu i krahut të majtë Jean-Luc Melenchon tha se priste më shumë protesta, ndërsa politikani i krahut të djathtë Eric Uoerth i përshkroi propozimet e qeverisë franceze su një zgjidhje "afatshkurtër".

Ndërkohë kryetarja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen tha Macron kishte rregulluar disa, por jo të gjitha gabimet e tij. Sikur të mos mjaftonte kjo, një grup i OJQ-ve kundër racizmit, tha për gazetën Le Figaro se ishin të shqetësuar për komentet e zotit Macron mbi emigracionin.

Fillimisht jelekverdhët ata dolën në rrugë për të protestuar kundër rritjes së taksave të karburantit, një kusht që u pranua nga qeveria, por qëllimi i protestës është bërë shumë më i madh.

"Gjithçka është më e shtrenjtë", thotë një pensioniste nga Lioni. "Taksat po rriten, strehimi, shpenzimet e ngrohjes, makinat, çmimi i gjithçkaje po rritet".

"Ata [qeveria] po e godasin popullin aty ku nuk mban më, burri im punon për një kompani transporti, nuk jemi të pasur, madje dalim me humbje që në fillim të muajit", thotë ajo. “Kjo nuk mund të vazhdojë, ne nuk jetojmë, por mbijetojmë, është një skandal".

Ndërkohë përfaqësues të jelekverdhëve thonë se “po i tregojnë Emmanuel Macron se francezët nuk janë marioneta, por qytetarë”, një mesazh që po përhapet si këmbanë alarmi nëpër të gjithë Europën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë