Trend

Rriten në mënyrë dramatike kërkimet në Google rreth ‘ankthit klimatik’

Nga Gazeta Si - Pyetjet në internet në lidhje me "ankthin klimatik" janë rritur, sipas të dhënave të mbledhura nga Google.

Shtimi i rasteve të zjarreve, përmbytjeve dhe thatësirave në mbarë botën janë vetëm disa nga shenjat shumë të dukshme të ndryshimit të klimës.

Por, ajo që raportohet më pak është ndikimi i ndryshimeve klimatike tek shëndeti mendor i njerëzve.

Ankthi klimatik i përcaktuar si ndjenja e shqetësimit për ndikimet e ndryshimeve klimatike është raportuar globalisht, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë.

Të dhënat nga Google Trends tregojnë se pyetjet e kërkimit në lidhje me "ankthin klimatik" janë rritur në mënyrë dramatike.

Në 10 muajt e parë të 2023, pyetjet rreth kësaj teme janë 27 herë më të larta se e njëjta periudhë në 2017.

Të dhënat e Google Trends kombinojnë pyetjet e kërkimit për "ankth klimatik" dhe "eko-ankth", terma që përdoren shpesh në të njëjtën mënyrë, por që kanë kuptime paksa të ndryshme.

Ankthi i klimës është ankthi i lidhur posaçërisht me ndërgjegjësimin për ndryshimet klimatike. Eko-ankthi është një ankth më i përgjithshëm i lidhur me ndërgjegjësimin për kërcënimet ndaj shëndetit mjedisor, duke përfshirë ndotjen dhe humbjen e biodiversitetit.

Google Trends nuk mat thjesht vëllimin e përgjithshëm të kërkimeve, por shikon një mostër kërkimesh për të identifikuar tendencat në mbarë botën.

BBC shkruan se vendet nordike kishin pjesën më të madhe të pyetjeve në lidhje me ankthin klimatik gjatë pesë viteve të fundit.

Finlanda, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia përbënin më shumë se 40% të pyetjeve.

Google thotë se ka vërejtur gjithashtu një rritje globale të pyetjeve për të ardhmen e planetit së bashku me pyetjet rreth mjedisit në 12 muajt e fundit.

Google nuk publikoi të dhëna për gjininë e njerëzve që kërkojnë pyetje në lidhje me "ankthin e klimës", por hulumtimet kanë treguar se gratë janë më të predispozuara ndaj ankthit klimatik sesa burrat.

Më herët, psikologja Mariglena Muçi shpjegoi për Gazetasi.al se ndryshimet klimatike ndikojnë në shëndetin tonë mendor në dy mënyra; në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë. Sipas Muçit, mënyra e parë lidhet me ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj pasojave të këtyre ndryshimeve klimatike si: përmbytjet, uraganet, temperatura shumë të larta, ndryshimet stinore etj.

"Këto ndryshime në i përjetojmë drejpërdrejt, për shembull në verë ka pasur temperatura shumë të larta, ndryshe nga çfarë kemi provuar vite më parë. Gati 25-50 % e njerëzve të ekspozuar ndaj një fatkeqësie natyrore të shkaktuara nga këto ndryshme klimatike, sjell efekte negative në shëndetin mendor. Madje edhe ankthi se si do jetë e ardhmja shkakton efekte negative në shëndetin mendor", shpjegoi psikologja.

Muçi shtoi asokohe se janë gjetur korrelacione ndaj ekspozimit të cilësisë së dobët të ajrit dhe rritjes së rrezikut për të përjetuar ankth, depresion deri në çrregullime personaliteti.

"Njerezit, po përjetojnë atë që ndryshe quhet si "eko-ankth", që iu referohet gjithë informacioneve më sipër. Këtë situatë jemi duke e përjetuar edhe në Shqipëri, që me tërmetin, me përmbytjet e vazhdueshme në disa zona të Shqipërisë. Po kështu me temperatura shumë të larta në verë, me ndryshimet në temperatura gjatë stinëve etj, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt mbi shëndetin tonë mendor", shpjegon psikologja e cila shton se ndikohemi edhe nga ato çfarë dëgjojmë apo lexojmë çdo ditë që kanë ngritur " alarmin" për ngrohjen globale, shkrirjen e akullnajave etj.

Por pyetja që shtrohet është: A janë të ndërgjegjësuar shqiptarët?

"Unë do të thoja që janë më shumë të frikësuar se sa të ndërgjegjësuar. Përballja me këto ngjarje apo lajme ka sjellë tek ata ndjenja të frikës, të ankthit se çfarë po ndodh, ku do shkojmë, si do e përballojmë etj", tha Muçi.

Psikologja shtoi se është e rëndësishme që të ndiqen këshilla si më poshtë:

1. Është mirë të flisni dhe t'i shprehni hapur ato që ndjeni dhe mendoni. Flisni me familjarët, të afërmit, miqtë rreth gjendjes që ju përjetoni. Të folurit të ndihmon të shmangësh izolimin. Edhe nëse fëmijët dëgjojnë këto lajme, lejojini të dëgjojnë dhe t'u bëjmë pyetje. Flisni me ata në mënyrë të sinqertë, por edhe duke iu dhënë shpresë për mirë, për ndryshimet që po ndodhin. Edhe në shkolla është mirë të flitet me fëmijët, ku jo vetëm të marrin informacione se  çfarë janë, në lëndën e gjeografisë ose biologjisë, por të sensibilizohen sesi t'i shmangim.

2. Së dyti bëni një plan sigurie, ky sidomos ësh i nevojshëm ata që jetojnë në zona më të rrezikuara. Mund të përgatiteni sesi të jeni të gatshëm të lëvizni(duke bërë çantat gati), nës3 jetoni në një zonë që bien zjarre.

3. Përfshihuni në komunitetin tuaj që nënkupton përfshirjen në grupe ose organizata lokale për forcimin e infrastrukturës, bashkëpunimit dhe solidarizimit me njeri- tjetrin. Avokimi politik për tërheqjen e vëmendjes ndaj këtyre ndryshimeve është i rëndësishëm. Sot, këtë mund ta bëni edhe nëpërmjet rrjeteve sociale në përfshirjen e grupeve apo organizatave të ndryshme.

4. Mësoni nxitësit që ju shkaktojnë shqetësime. Ato janë të zakonshme, por e rëndësishme është të zbuloni se kush ua nxit më tepër për shembull, shikimi i fotove të shtëpive  të shkatërruara, njerëzve të pastrehë se u janë dëmtuar banesat etj. Nëse janë këto imazhe nxitës, mundohuni ti shmangni sa më shumë.

5. Mundohuni të bëni pushime, shëtitje në natyrë, sepse ju ndihmon të relaksoheni dhe të reduktoni stresin e ankthin.

6. Kërkon kujdes shëndetësor ose psikologjik nëse keni nevojë. Nëse shikoni që gjendja juaj është e rënduar, kërkoni ndihmë. Specialistet e fushës mund t' iu ndihmojnë të kaloni këto situata dhe të përmirësoni gjendjen tuaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë