Treg

Rriten me 20% tarifat e transportit / Konsumatorët po mbajnë barrën e krizës së Detit të Kuq

Nga Gazeta ‘Si’- Në vazhdën e sulmeve me raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, konsumatorët globalë janë ato që do të përballen me pasojat pasi zinxhirët e furnizimit po bien në kaos.

Sipas analistëve kryesorë të industrisë Xeneta(industri logjistike), tarifat spot në tregun e transportit të mallrave në oqean janë rritur me 20% pas njoftimit nga kompanitë kryesore të linjave të transportit detar se po shmangin Detin e Kuq për shkak të sulmeve nga milicia Houthi.

Analisti kryesor i Xeneta, Peter Sand, nënvizoi peshën e situatës, duke thënë: "Rajoni është në thelb në një situatë lufte, sepse është shumë e rrezikshme që shumë anije të lundrojnë nëpër Detin e Kuq dhe për rrjedhojë edhe Kanalin e Suezit, i cili është arteria më e madhe për tregtinë botërore”.

Ndërsa anijet tani po ridrejtohen përmes Kepit të Shpresës së Mirë, Sand vlerëson se kjo jo vetëm që do të shtojë deri në 10 ditë kohë lundrimi, por gjithashtu do të sjellë deri në 1 milion USD kosto shtesë të karburantit për çdo udhëtim vajtje-ardhje midis Lindjes së Largët dhe Europës veriore. 

Ndërsa ka kapacitet në treg, ai vjen me një kosto të madhe. Normat e transportit të mallrave në oqean mund të rriten potencialisht me 100%, duke rënduar përfundimisht konsumatorët që blejnë mallra, sipas Sand. Ndikimi është i rëndësishëm, pasi vetëm Kanali i Suezit lehtëson kalimin e mallrave me vlerë miliarda dollarë çdo ditë nga Lindja e Largët në Evropën Veriore, Mesdheun dhe Bregun Lindor të SHBA-së.

Në përgjigje të krizës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi "Operacionin Prosperity Guardian" , një grup pune i koalicionit që synon të luftojë sulmet Houthi dhe të mbrojë anijet tregtare që lundrojnë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Kjo nismë bazohet në Task Forcën ekzistuese 153 në rajon, e cila fokusohet në sigurinë detare në rajon.

Megjithatë, suksesi dhe afati kohor i përpjekjeve të këtij koalicioni për të vendosur kalim të sigurt për anijet përmes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit mbeten të pasigurta. Ndërprerja aktuale, e shoqëruar me rimëkëmbjen e vazhdueshme të zinxhirëve të furnizimit nga pandemia, i përkeqëson më tej sfidat. Sand thotë se besueshmëria e orarit midis Lindjes së Largët dhe Evropës Veriore qëndron në 64% dhe kjo krizë kërcënon të pengojë procesin e rimëkëmbjes.

Një numër në rritje i kompanive kryesore të transportit, si Maersk dhe CMA CGM Group, kanë ndërmarrë tashmë veprime vendimtare duke ridrejtuar anijet e tyre përmes Kepit të Shpresës së Mirë. Megjithatë, situata mbetet e pasigurt, pa zgjidhje të qartë në horizont. 

“Ne gjithashtu mund të shohim këtë ndikim në negociatat aktuale midis transportuesve të mallrave në oqean për kontrata afatgjata që zgjasin deri në vitin 2024. Transportuesit mund të ndjejnë një nivel shqetësimi se tarifat afatgjata mund të ndjekin tregun spot dhe të rriten në mënyrë dramatike si rezultat i kësaj krize ”, tha Sand.

Burimi: gCaptain/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë