Treg

Rriten lejet e ndërtimit, kërkesa për blerje bie drastikisht nga pasiguria politike

Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna për tremujorin e parë të vitit është rritur me 10,9 % krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ose e përkthyer në numër, në tremujorin e parë 2019, janë miratuar gjithsej 245 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 221 leje të miratuara në tremujorin e parë 2018.

Por biznesi i pasurive të paluajtshme nuk ka qenë fort në formë sipas agjencive imobiliare në tremujroin e parë të vitit në sektorin e shitjeve të banesave rezidenciale dhe ato në bregdet.

Dritan Leka i Century 21 thotë se kërkesa për apartamente banimi ka rënë në mënyrë drastike në 50%, është e krahasueshme me vitin elektoral 2017.

Ai e shpjegon këtë situatë me pasigurinë e njerëzve për të shpenzuar në këtë krize të thellë politike që prej muajsh ka kapluar vendin.

“Përjashto periudhën deri në fillim të majit që ishin shitjet e apartamenteve që bliheshin me kredi të butë nga bashkia. Pjesa tjetër ka rënie mjaft të madhe”- thotë Leka për Gazeta Si duke shtuar që “të vetmet transaksione që kemi bërë kanë qenë ato komerciale dhe qiratë”.

Në fakt të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë në lidhje me lejet e ndërtimit të dhëna për hotele, ndërtesa tregtare, etj ka rënë krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërsa këtë tremujor janë miratuar 84 leje për ndërtesa jo rezidente, një vit më parë kanë qenë miratuar 10 më shumë.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e parë 2019, është 25,2 miliardë lekë, nga 10,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2018. Ky tregues në tremujorin e parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth 2,5 herë.

Por a ka nevojë për ndërtime të reja në këtë sasi? Për Tiranën Leka i Century 21 thotë që po. Për të kryeqyteti ka nevojë për 4000 apartamente në vit.

“Ky është ‘stock control’ në bazë të levizjeve në ZVRPP. Por nuk duhet harruar se të gjitha këto leje do të përkthehen në stok pas 3-4 viteve”- thotë ai.

Megjithatë ende institucionet publike nuk kanë një studim për nevojën e ndërtimeve në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë