Treg

Rriten çmimet e naftës pas njoftimit për uljen e prodhimit nga korriku

Çmimet e naftës u rritën të hënën(5 qershor) pasi eksportuesi kryesor botëror, Arabia Saudite u zotua të ulë prodhimin me 1 milion fuçi të tjera në ditë nga korriku.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ishin në 77.15 dollarë për fuçi, me një rritje prej 1.02 dollarësh, ose 1.3%.

Shkurtimi i vendosur të dielën(4 qershor) është në krye të një marrëveshjeje më të gjerë të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të tyre, përfshirë Rusinë, për të kufizuar furnizimin në vitin 2024, ndërsa grupi kërkon të rrisë çmimet e naftës.

Vendet e OPEC+ zotërojnë gati 40 për qind të naftës së papërpunuar, dhe vendimet e tyre mund të kenë ndikim të madh në çmime të naftës.

OPEC ka thënë se synon që prodhimi të ulet në 1.4 milion fuçi në ditë, prej vitit 2024.

Çmimet e naftës janë rritur prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, vitin e kaluar, por tani janë në nivelet e para nisjes së konfliktit.

Organizata OPEC+ ka rënë dakord në tetor të vitit të kaluar, që të ulë prodhimin për 2 milionë fuçi në ditë, çka përbën 2 për qind të kërkesës globale.

Në prill të këtij viti, grupi është pajtuar edhe për shkurtesa tjera.

Mirëpo, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se bisedimet e së dielës kanë çuar në “vazhdim të marrëveshjes deri në fund të vitit 2024”.

Të dielën, ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, ka thënë se zvogëlimi i sasisë së shtetit të tij për një milion fuçi në ditë, mund të shtyhet edhe përtej korrikut, me qëllim të stabilizimit të tregjeve.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë