Lajme

Rrihet mjeku i Urgjencës, policia e shpall në kërkim autorin

Pas rrahjes së mjekut të Urgjencës së Infektivit në QSUT mesditën e djeshme nga familjarët e një pacienti ka reaguar ashpër drejtoria e qendrës spitalore.
Në një reagim për mediat, pa dhënë shumë detaje për mjekun e dhunuar dhe rrethanat, drejtoria e QSUT-së dënon dhunën dhe agresionin ndaj mjekëve dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autori të marrë dënimin e merituar.
“Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekut të rojes në Urgjencën e Spitalit Infektiv.
Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar mbrëmë ndaj mjekut infeksionist dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autori të marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e drejtorisë së QSUT-së.
Më tej, QSUT i bën një apel të gjithë opinionit publik që të mirëkuptojnë dhe të përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

Ndërkohë, policia bën me dije se ka nisur procedimin penal për 45-vjeçarin me iniciale A. M që dhunoi mjekun.
Ky shtetas rreth orës 13:30 të së dielës, pasi ka shkuar për të vizituar një të afërmin e tij që ndodhej i shtruar në spital, në ambientet e urgjencës së Spitalit Infektiv, ka goditur me grusht mjekun e urgjencës.
Pas goditjes së mjekut, është larguar menjëherë nga spitali. Policia po vijon punën për gjetjen dhe ndalimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë