Politike

Rrëzoi kërkesën e Tabakut se i mbaronte afati, por PS propozon shtyrjen e ligjit për investimet, deputetja e PD: Normalitet socialist

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me propozimin e mazhorancës për të shtyrë afatin e zbatimit të ligjit për “Investimet Strategjike”.

Në një reagim në “Facebook”, Tabaku shprehet se disa muaj më parë mazhoranca votoi kundër propozimeve ligjore të saj për të pezulluar këtë ligj.

“Disa muaj më parë mazhoranca socialiste votoi kundër propozimin ligjor që depozitova në kuvendin e Shqipërisë në Dhjetor 2022 për të pezulluar Ligjin e Investimeve Strategjike. Ndërsa në ditët e para të këtij viti të ri mësuam se mazhoranca socialiste po përgatitet që të shtyjë edhe më shumë afatin e Ligjit të Investimeve Strategjike, duke shtuar një tjetër peshqesh për shqiptarët.

Ironikisht, parlamenti do të shqyrtojë një propozim deputeti të mazhorancës për të shtyrë Ligjin e Investimeve Strategjike. Nëse propozimi im, që u rrëzua nga mazhoranca, kishte në thelb zhbërjen e një Ligji që jo vetëm ishte i qepur për inteteresat e një klientele të vogël por njëkohësisht nuk ofronte asnjë vlerë të shtuar për ekonominë dhe investimet e huaja.

Në të kundërt propozimi socialist e ka të shkruar në ballë se çfarë synon të arrijë përmes shtyrjes së periudhës kohore të zbatimit të ligjit. Mjafton të shohim ‘punën dhe eficencën’ që ka pasur Ligji Investitorëve strategjikë për të kuptuar se kujt i duhet dhe përse po shtyhet zbatimi i tij”, shkruan ajo.

Më tej Tabaku vëren: “Kur mazhoranca rrëzoi propozimin tim, në korrikun 2023, dha justifikimin se  ‘Ligji do të përfundojë në fund të 2023 ndaj nuk ka arsye ta pezullojmë tani’.  E vërteta është ndryshe. Sjellja e mazhorancës na lë të kuptojmë se ajo jo vetëm që nuk ka ndërmend t’i japë fund zbatimit në kohë të ligjit, por duket se ka krijuar një varësi të tillë saqë do ta shndërrojë në normalitet atë”.

Sipas saj, nga lista e gjatë e përfituesve mund të shihje investitorë të huaj më pak se gishtat e një dore.

“Përfituesit e zakonshëm që marrin tendera, PPP dhe koncesione, persona nën hetim për lidhje me krimin e organizuar apo deri dhe tek oligarkë rusë të shpallur nongrata në SHBA. Këto janë investitorët strategjikë që pasurohen nga kompanitë guaska që fshehin investitorët e vërtetë.

Një ligj që nuk njeh e promovon garën, as konkurencën por ngushton tregun e mundesitë e tregut me ato që kanë akses tek pushteti.

Ky normalitet socialist ka prodhuar njëkohësisht edhe një normë të re që lidhet me investimet strategjike. E ashtuquajtura, norma socialiste e investimit strategjik. Për ta përmbushur këtë normë duhet të kesh disa kritere që përcaktohen nga Këshilli  Investimeve Strategjike; ku siç edhe dihet preferohen personat me lidhje të ngushtë politike me qeverinë, mundësisht vetëm shqiptarë me kompani offshore dhe pse jo edhe persona me lidhje me grupe kriminale brenda vendit. Nëse investitori qëllon që të ndihmojë qeverinë në zgjedhje elektorale, atij i shënohet një plus i madh dhe është preferencial në përzgjedhjen në fjalë”, vëren ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë