Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen me tre muaj të afatit të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Propozimi i opozitës mori 27 vota pro, ndërsa u kundërshtua nga 82 deputetë të mazhorancës.
Pas votimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar shumicën parlamentare se po vepron në mënyrë të njëanshme dhe se po tenton të miratojë ndryshime pa një proces të plotë diskutimi në komision.
Sipas Berishës, raportet e përgatitura si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca nuk janë shqyrtuar në komisionin parlamentar dhe për këtë arsye nuk duhet të dërgohen për miratim në Kuvend.
“Në këtë komision është bërë nga pala jonë puna më serioze dhe është konkretizuar në një raport prej mbi 400 faqesh. Në përputhje me agjendën e përbashkët janë zhvilluar dhjetëra konsultime, ndërsa raporti që pretendoni të paraqisni sot është i paligjshëm, pasi nuk është miratuar në komision”, deklaroi Berisha.
Ai kërkoi që të dy raportet të diskutohen fillimisht në komisionin përkatës dhe më pas të kalojnë në seancë plenare. Sipas tij, refuzimi i shtyrjes së afatit përbën shkelje të praktikave parlamentare.
“Ju paraqiteni me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës. Ky është një akt brutal dhe një përpjekje për të larguar pushtetin nga qytetarët”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha paralajmëroi gjithashtu përshkallëzim të aksionit politik të opozitës, duke deklaruar se do të kërkojnë mobilizim qytetar kundër vendimeve të mazhorancës.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka mbështetur përfundimin e procesit sipas afatit të përcaktuar, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për shtyrje.
Reforma Territoriale është një nga proceset më të rëndësishme të debatit politik, pasi synon rishikimin e ndarjes aktuale administrative të vendit dhe mënyrën e organizimit të pushtetit vendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje