Dosje

Rrezik për t’u tjetërsuar, pasuritë e trafikantit të drogës janë objekt i ligjit anti-mafia

Gazeta Si - Pronat e sekuestruara nga SPAK ndaj biznesmenit-trafikant të drogës Anton Gjinaj, janë objekt i ligjit anti-mafia.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, për 23 pasuritë e bllokuara një ditë më parë, ekzistojnë prova se ato janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Gjykata thekson se personat që i posedojnë këto prona, të ardhurat e përfituara në mënyrë të ligjshme, i kanë më të vogla nga vlera e pronave që disponojnë.

Gjithashtu në vendimin e gjykatës, thuhet se ka arsye të bazuara për të besuar se këto prona mund të tjetërsohen tek persona të tjerë me qëllim që ato mos të konfisokohen.

Sipas burimeve paraprake, biznesmeni thuhet biznesmeni është ndjekur nga DEA amerikane për drogën në Spanjë.

Pas vendimit, 23 pasuritë e sekuestruara do t’i i kalojnë agjencisë së administrimit të aseteve të sekuestruara.

Në vendimin prej 14 faqesh, gjithashtu thuhet se trafikimi i drogës në vitin 2006, ku ka qenë i përfshirë Anton Gjinaj, që njihej edhe si Pashuk Gjinaj, ka kapur një vlerë në rreth 2 milionë euro.

Sipas SPAK, Gjini dhe familjarët e tij, kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se pasuritë janë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë.

Mes pasurive të vëna në sekuestro, janë 6 shoqëri, 13 pasuri tokë truall e arë, si dhe ndërtesa. Gjithashtu janë bllokuar edhe 4 makina.

Anton Gjinaj është i dënuar me 8 vite burg nga drejtësia spanjolle për trafik të lëndëve narkotike. Ai u arrestua në prill të vitit 2021 në Mal të Zi, ndërsa ishte në kërkim nga Spanja.

Gjinaj, anëtar i një grupi kriminal që në vitin 2006, organizoi dhe koordinoi importin, magazinimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në Spanjë.

Aktualisht ai është transferuar në Shqipëri dhe po vuan dënimin në burgun e Reçit në Shkodër.

Gjinaj, i lindur në Pukë, rezulton të jetë pronar i kompanisë së ndërtimit “Alesio-2014”, e cila tashmë është sekuestruar nga SPAK-.

Në aktivitetin e kësaj kompanie janë një numër i konsiderueshëm biznesesh që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Kavajë e më gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë