Bota

Rrethohet Gaza, vritet një komandant i Hamasit. SHBA vendos një nëndetëse bërthamore

Gazeta Si - Ushtria izraelite ka vrarë një nga komandantët e Hamasit dhe ka goditur mbi 450 objektiva në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit.

Zëdhënësi ushtarak e bëri të ditur lajmin, sipas të cilit ushtarët "morën kontrollin e një kompleksi ushtarak të Hamasit me poste vëzhgimi, zona trajnimi për operativët dhe tunele, duke vrarë shumë terroristë".

Ndër komandantët e prekur, është Jamal Mussa, “përgjegjës për operacionet e sigurisë speciale të Hamasit. Në vitin 1993, Mussa kreu një sulm me armë kundër ushtarëve izraelitë që patrullonin në Rrip”.

Komandantë të tjerë të Hamasit janë vrarë gjithashtu gjatë betejave në terren.

Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë dhe i kanë vazhduar bombardimet e pareshtura të dielën mbrëma, tha zëdhënësi i Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Daniel Hagari.

Hagari tha se trupat izraelite arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”. Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, është tani plotësisht i rrethuar, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë ta lejojmë një korridor në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut. Ky është korridor njëdrejtimësh drejt jugut”, theksoi ai. Ndërkohë, ka raportime se shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë përsëri në Gazë.

Ndërkohë, SHBA përkul muskujt e saj në Mesdhe, si një pengesë kundër konfliktit në zgjerim midis Hamasit dhe Izraelit.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane njoftoi në platformën sociale “X”, se një nëndetëse bërthamore e ardhur nga Ohajo, është vendosur në zonën problematike, e cila shtrihet nga verilindja e Afrikës, përmes Lindjes së Mesme në Azinë qendrore dhe jugore.

Mesazhi vjen dy ditë pasi Marina njoftoi se dy grupe sulmuese – “Gerald Ford” dhe “Dwight Eisenhower” - lëshuan avionë dhe praktikuan mbrojtjen raketore gjatë një stërvitjeje tre-ditore në Mesdhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë