Futboll

Rrëshqitje e papritur e Bajernit, Verderi e mund të Mynih! Bavarezët -7 nga kreu

Gazeta Si – Humbje e rëndë për Bajern Mynih në fushën e tij, në javën e 18-të të Bundesligës. Bavarezët janë mundur 1-0 në ‘Allianz Arena’ nga Verder Bremen dhe tashmë e shohin veten 7 pikë prapa Bajer Leverkusen. Humbja e sotme mund të ketë kosto të lartë për titullin kampion në fund.

Zotërim steril topi dhe shumë gjeometri, pa finalizim për skuadrën e Tuhel, që u ndëshkua në pjesën e dytë nga e një e majtë e Veiser. Për fat të mirë, Bajerni ka edhe ndeshjen me Maincin për të luajtur dhe mund ta zbutë pak diferencën me kreun.

Pjesa e parë ishte argëtuese. Bajerni e mbylli kundërshtarin në zonën e rreptësisë, por nuk arriti të gjente goditjen për të çarë murin e Verderit. Miqtë gjithsesi ishin të rrezikshëm në kundërsulm, ku Nojer në disa raste ia doli ta mbante rrjetën të paprekur. Njimah shënoi për Verderin në një kundërsulm të rrufeshëm, por VAR e anuloi golin për një faull ndaj Musialas.

Pas pushimit gjërat ndryshuan dhe Verder goditi në minutën e 59-të me një aksion personal të Veiser, të mbyllur me një të majtë të fuqishme poshtë traversës. Tuhel hodhi menjëherë në fushë Goretzkën dhe Mylerin, duke e rritur peshën e sulmit. Megjithatë, pavarësisht rasteve të panumërta, asgjë nuk ndryshoi.

Verder Bremen mori 3 pikët dhe u ngjit në kuotën 20, në vend të 12-të. Bajerni mbetet në kuotën e 41 pikëve, 7 më pak se Leverkuseni dhe me një ndeshje më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë