Lajme

Rregullat për plazhet: 2.5 m hapësirë nga vija e parë e çadrave të jetë publik

Në çdo nisje të sezonit veror, një nga problemet që haset është përplasja e vazhdueshme e pushuesve që duan hapësirën e plazhit publik dhe bizneseve që kanë marrë me qira këto plazhe. Ndërsa, të gjitha vendet e botës janë pro idesë që të marrësh çadrën dhe ta vendosësh ku të duash ti, brenda një zone të caktuar, në shumë nga plazhet tona nuk lejohet diçka e tillë.
Një rregullore e miratuar me një vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave parashikon që subjektet që lidhin kontrata me njësitë e qeverisjes vendore për të marrë me qira një hapësirë në plazh për një afat nga 1 deri në 5 vite duhet të respektojnë disa kritere.
Mes tyre përfshihet edhe lënia e hapësirave për pushuesit që duan plazh publik, si dhe mirëmbajtja e bregut dhe pastrimi i tij.

Subjektet për këtë vit kanë afat që të lidhin kontratat e qirasë sipas rregullave me njësitë e vetëqeverisjes vendore deri në datë 20 prill. Kështu për plazhet e tipit A, që janë plazhe kryesisht me përbërje ranore dhe gjerësi të konsiderueshme të brezit të plazhit, rregullorja parashikon që për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7.5 metra nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit.
Po kështu hapësira prej 2.5 metra përpara brezit të parë të çadrave duhet të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku. Së treti hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3 metra në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 2.5 metra në linjë vertikale me vijën e ujit.
Stacioni i plazhit duhet të ketë në dispozicion të peshuesve një dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, si dhe të jetë i pajisur me shërbimet higjienike, kabinat e zhveshjes, zonën e ndihmës së shpejtë për pushuesit. Në asnjë rast nuk mund të ndalohet apo të kufizohet, në asnjë formë dhe në asnjë kohë, kalimi i publikut në rrugët që lidhin rrugën publike me plazhin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë