“Bëra si i dëmtuar për të mos u përfshirë në trukimin e një ndeshjeje”. Kështu e nis rrëfimin e tij të bujshëm Armando Izo, sot lojtar i Torinos. Ai është marrë në pyetje në Pallatin e Drejtësisë në Napoli nga prokurori i antimafias, Mauricio De Marko. Futbollisti 28-vjeçar po hetohet për trukim ndeshjesh dhe lidhje me kamorran.
“Isha ende një djalosh dhe i premtova babait se do t’i çoja fanellën e Napolit te varri. Kjo ishte ëndrra ime, ëndrra jonë, që të luaja në Serinë A”, – ka thënë Izo më tej. Gjithçka nis me ndeshjen Modena-Avelino (seria B, 17 mars 2014), kur Izo nuk zbriti në fushë dhe tani sqaron pse mori atë vendim:

“Isha në Sekondiliano, në shtëpinë e nënës dhe mora një telefonatë nga Luka Pini, një koleg futbollist që ishte edhe argjendar dhe që do të më jepte disa varëse për gra dhe fëmijë. Me të ishte Salvatore Ruso, i njohur si “Geremia”. Më çuan në një restorant, ku ishte Milezi me vëllezërit Akurso”. Bëhet fjalë për Umberto dhe Antonio Akurso, elementë të spikatur të kamorrës në Sekondiliano dhe kushërinj të Izos.
“Ata më thanë për të arritur një akord, por mua ai takim më “binte erë”, pashë diçka që nuk më pëlqeu dhe pas 30 minutash mora një taksi dhge u largova, – vazhdon rrëfimin Izo. – Intuita më thoshte se diçka po gatuhej”. Ish-lojtari i Avelinos kujton edhe një episod tjetër të ngjashëm, të ndodhur vite më parë, kur ishte te Trieste, por edhe ai i pafinalizuar.
“Erdhën te mua, – tregon Izo, por pa i përmendur emrat e personave të përfshirë. – Më thanë se donin të trukonin ndeshjet, por unë u thashë se doja të bëja karrierë dhe se nuk do të kontribuoja për atë që ata donin. Në atë moment mendova për premtimin që i bëra babait”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.