Futboll

Rrëfimi i Henrik Larson: Kam mbiemrin e nënës për shkak të racizmit

Henrik Roça, ish-sulmuesi i njohur suedez, ka rrëfyer karrierën e tij, duke zbuluar edhe ndryshimin e mbiemrit. Ai ka luajtur me skuadra si Högaborgs, Helsingborg, Fejnord, Selltik, Barcelona dhe Mançester Junajtid. Mes shumë trofeve të fituar ka edhe 2 tituj kampion në Spanjë, një titull në Angli dhe një Ligë Kampionësh.

Me kombëtaren e Suedisë ka luajtur 106 ndeshje dhe ka shënuar 34 gola, plus 432 gola të shënuar me klubet ku ka luajtur. Një jetë si yll i futbollit, protagonist në stadiumet më të mëdha të botës. Atëherë pse mbiemri i tij nuk tingëllon aspak familjar? Thjesht për faktin se mbiemrin në dokumente nuk e ka “Roça”, por Larson. Dhe ky ndryshim vetëm për shkak të racizmit.

Henrik Larson me fanellën e Suedisë. Gazeta Si, 7 gusht 2020

Sulmuesi i njohur ka zbuluar gjithçka ka ndodhur për faqen zyrtare të UEFA-s, duke folur fushatën “Jo racizmit”. Ai ka shpjeguar se në vitin 1971, kur prindërit do ta regjistronin, bënë një zgjedhje të veçantë. Fransisko Roça, me origjinë nga Kepi i Gjelbër” dhe Eva Larson vendosën ta regjistronin me mbiemrin e së ëmës. “Të urresh dikë vetëm për ngjyrën e lëkurës është diçka që nuk e kam kuptuar dhe nuk do ta kuptoj kurrë. Në vend që të kisha mbiemrin e babait, kam atë të nënës. Ishte një zgjedhje për të më mbrojtur, por nuk duhej të ishte aspak e nevojshme. Por kjo ishte situata kur linda unë”, - tregon Henrik.

Edhe 10 vjet më vonë gjërat nuk është se ndryshuan. Zllatan Ibrahimoviç, i datëlindjes 1981, ka thënë shpesh se mbiemri i tij i ka krijuar shumë probleme dhe nëse do të kishte një mbiemër suedez, nuk do të ishte kritikuar aq shumë. Diçka që prindërit e Larsonit e kanë evituar. “Është e tmerrshme që e kanë bërë diçka të tillë, ashtu siç është të mendosh se çfarë do të thoshte për mua të kisha një mbiemër të huaj dhe jo suedez. Duhet t’i edukojmë fëmijët, mbi të gjitha prindërit. Nuk duhet ta harrojmë këtë fushatë kundër racizmit për ta kaluar këtë plagë botërore. E keqja nuk do të fitojë kundër së mirës”, - u shpreh më tej Henrik Larson…Roça.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë