Futboll

Rrëfimi i bastexhiut Faxholi: Donin të më thyenin këmbët për borxhet! Tonali ka vënë bast për Milanin

Gazeta Si – Tani situata është më e qartë. Nga deklaratat e Nikolo Faxholit para prokurorëve në lidhje me çështjen e basteve del dëshpërimi i një djaloshi të dhënë pas lojës së rrezikshme.

"Më kanë kërcënuar se do të më thyenin këmbët, por kurrë nuk kam vënë bast për Juventusin ose Kremonezen, skuadrat ku kam luajtur. Situata ishte e padurueshme, në Sasuolo, sapo dola nga fusha nisa të qaja, duke menduar për problemet e mia me borxhet nga bastet”, - shkruhet në faqet prokurorëve pas deklaratave të mesfushorit.

Një obsesion që e ka detyruar të mashtrojë, të kërkojë para borxh, edhe shokëve të skuadrës, të kërcënohet nga personazhe të rrezikshëm. Faxholi ëhstë marrë në pyetje në qershor, më pas është vetëdenoncuar në federatë. Sipas ‘Repubblica’, ai i ka thënë prokurorit federal Chiné se e kishte nisur duke vënë bast në tenis, ndërsa nga shtatori i vitit të kaluar, duke pasur borxhe të mëdha, filloi me futbollin.

Përpjekje të dëshpëruara për të rikuperuar paratë e humbura. Megjithatë, ai gjithmonë ka evituar skuadrat, në të cilat luante. Kur u kthye te Juventusi në 2022-shin, kishte akumuluar një borxh prej 250 mijë eurosh. Nëna e shqetësuar e këshillonte të shkonte te ‘Sert’, ku ai shkoi disa herë për ndihmë.

Por situata nuk u përmirësua dhe Faxholi filloi të vinte bast për çdo gjë. Në fund, mes platformave legale dhe ilegale, arriti në 3 milionë euro borxhe. Një problem serioz, duke ditur që te Juventusi fiton 1 milion euro në vit.

Atëherë filloi të kërkonte para borxh te shokët e skuadrës, si Gati dhe Dragusin, pa ua thënë arsyen e vërtetë. Ai i gënjente, duke u thënë se do të blinte ora, por e kishte llogarinë të bllokuar nga nëna. Nga 40 mijë euro secilit shok skuadre, që shkonin në një argjendari për sende me vlerë dhe pastaj për kreditorët e platformave të ndryshme.

Varësia nga lojërat e fatit nisi në një grumbullim në Tirrenia me Italinë U-21. Faxholi pa shokun e tij Tonali të vinte bast në një sit ilegal. Ish-lojtari i Milanit e ndihmoi të regjistrohej me një llogari të vetën. Aty nisi gjithçka.

“Vija bast për fituesin e një ndeshjeje, ose lart ose poshtë me gola, jo për shënuesin apo rezultatin e saktë. E bëja nga mërzitja, kisha shumë kohë të lirë", - ka thënë Faxholi, i cili në Sasuolo preku fundin dhe kuptoi se ishte momenti për të thënë mjaft.

Tonali dhe Faxholi. Gazeta Si, 18 tetor 2023

Nga hetimet e fundit ka dalë se Faxholi ka vënë baste për skuadra si Milani dhe Interi. Po ashtu, është zbuluar edhe se Sandro Tonali ka vënë bast për Milanin dhe tani rrezikon një skualifikim të gjatë. Priten detaje të tjera të çështjes së basteve, që sa vjen dhe merr përmasa edhe më të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë