Politike

Roth: Opozita vendim të papërgjegjshëm, atmosfera është helmuar shumë

Pas takimit në Berlin me Ministrin e Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth ka dhënë një intervistë për Deutsche Wellen duke dhënë qëndrimet mbi situatën politike në Shqipëri, krizën e re e shkaktuar nga dorëzimi i mandateve të opozitës.
“Folëm edhe për politikën e brendshme. Polarizimi ndërmjet opozitës dhe qeverisë nuk është një fenomen shqiptar, por e konstatojmë me keqardhje edhe në shumë vende të tjera në tranzicion. E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e Parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër Parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar”, deklaron Roth.
Sa i përket qëndrimeve të opozitës për parlament ilegjitim dhe vjedhje të votave nga mazhoranca, Roth thekson se këto akuza duhet të shkojnë nëpërmjet gjykatave, por kurrsesi nuk duhet të braktiset Parlamenti.
“Akuza duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në Parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës”, thekson ai.

Ministri në Detyrë Cakaj gjatë takimit me sekretarin Roth


Zyrtari i lartë gjerman paralajmëron edhe për efektet që mund të ketë kjo krizë politike, që mund të ndikojë edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE-së. Sipas tij, kjo ka një efekt paralizues. “Unë do të dëshiroja që, edhe nëse grindja është nevojshme, të mos dilet nga tema. Debati është elikzir i një demokracie të gjallë. Por është e rëndësishme që të ketë mirëkuptim thelbësor në disa çështje, pavarësisht se kush është në opozitë e kush në qeveri. Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive ne politiken e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse funksionon Parlamenti”, theksoi Roth.
Por a do të ketë refuzim të Shqipërisë për negociatat, ku po aludohet se Maqedonia e Veriut do ta marrë ndërsa vendi ynë jo? Për këtë Roth thekson se ka ende kohë për të kryer reforma dhe se një vendim i tillë nuk ekziston ende.
“Jo, këtë nuk e kam dëgjuar ende. Por këtu procedura është shumë e qartë: raporti i progresit të Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj. Vitin e kaluar, në qershor, ne e shqyrtuam çështjen e anëtarësimit në BE me shumë dashamirësi si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut. Por nuk do të ketë automatizem. Vendimi ynë do të bazohet te raporti i Komisionit. Në rastin e Gjermanisë fjalën e fundit e ka Bundestagu. Gjithçka është e hapur. Është ende në proces. Në muajt e ardhshëm mund të vazhdohet me reforma të rëndësishme. Sa më shumë reforma që të ketë në muajt e ardhshëm aq më mire është për vendimin pozitiv”, thekson Roth.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë