Futboll

Roma merr talentin shqiptar Kevin Zefi, vjen nga Interi me parametra zero

Gazeta Si – Pas dy vjet e gjysmë mes dritë-hijesh, sulmuesi 18-vjeçar largohet nga Interi, që ruan një përqindje në rast të shitjes së lojtarit më pas. Kualitet dhe talent i jashtëzakonshëm, por jashtë fushe…

Në verën e 2021-shit, sytë e zbuluesve më të mirë të talenteve ishin të gjithë mbi Kevin Zefin. Lojtari me origjinë shqiptare, i lindur në Dublin, në atë kohë 16 vjeç, mahniste me fanellën e Shamrok Rovers. Driblime në gjithë fushën, gola dhe vizion loje mbi mesataren. Në moshë 15-vjeçare kishte debutuar në kategorinë e dytë, duke shënuar golin e parë pas një muaji.

Interi e rrëmbeu, duke fituar konkurrencën me gjysmën e Europës, por dy vjet e gjysmë më pas i jep lamtumirën. Zefi do të kalojë te Roma me parametra zero. Pse?

Po të shikosh numrat e eksperiencës tek Interi, Zefi nuk ka zhgënjyer kur ka luajtur. Mes U-17, U-18 dhe Primaverës, në 47 ndeshje ka shënuar 25 gola, duke u konfirmuar si një driblues i thekur dhe duke bërë hapa përpara në lojë, por është shumë individualist.

Nëse bëhet krahasimi i rrugëtimit të tij me lojtarët e tjerë të vitlindjes 2005 të Interit, si Valentin Karboni dhe Aleksandar Stankoviç, vihet re se me vetëm 10 ndeshje mes Primaverës dhe Youth League, ‘stonon’ me bashkëmoshatarët e tij, që kanë provuar Serinë A. Problem, përveç ndonjë dëmtimi, ka qenë sjellja e Zefit, jo gjithmonë në linjë me kërkesat e klubit.

Futbolli i tij shumë individualist është hasur edhe në përditshmëri, me ndonjë ‘goditje me kokë’ të tepërt, që ka penguar ingranimin në sistemin që kërkon respekt dhe rregulla si vlera thelbësore në sektorin e të rinjve. Zefi firmosi një kontratë që në moshën 16-vjeçare dhe nga Dublini u gjend larg familjes, në një Milano plot me mënyra shpërqendrimi.

Pas dy vjet e gjysmë përpjekjesh për ta futur në rrugën e drejtë, palët kanë diskutuar për rinovimin me ulje. Në fund zgjedhja e përbashkët ishte për të gjetur një destinacion të ri, që është Roma.

Pikëpamja e klubit verdhekuq është ndryshe, sepse merr një talent me parametra zero. Qëllimi është për ta rritur Zefin nga ana futbollistike, por edhe nga personaliteti. Operacioni është i tipit ‘win-win’, sepse investimi ekonomik është nul. Interi ka mbajtur një klauzolë që e lejon të arkëtojë një përqindje, nëse Roma e shet në të ardhmen.

Në çdo rast, Kevin Zefi do të lërë Milanon më 1 korrik. Për të mirën e djalit, shpresat janë që te Roma, shqiptari që luan për U-19 të Irlandës, të gjejë mënyrën për të qenë më pak individualist, të driblojë shpërqendrimet dhe të fillojë vërtet një karrierë pozitive. Ndoshta edhe i veshur kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë