Futboll

Roma e De Rosit fiton derbin me Lacion pas 2 vitesh, asnjë minutë për Hysajn

Gazeta Si – Pas dy vitesh, Roma arrin të fitojë derbin me Lacion me rezultatin 1-0. Vendosi një gol i Xhanluka Mançinit në fundin e pjesës së parë. Kaq mjaftoi për ta ngjyrosur verdhekuq derbin numër 183 të kryeqytetit italian.

Daniele De Rosi ka festuar triumfin e parë si trajner në derbi. Roma ka marrë 3 pikë, që për momentin e çojnë -2 pikë nga zona Champions. I hidhur në anën tjetër derbi i parë si trajner për Igor Tudor. Për Lacion ishte humbja e dytë radhazi, pas asaj me Juventusin në Kupën e Italisë.

Lacio pagoi edhe një herë problemet në lojën mbrojtëse. Roma, përveç golit të Mançinit, pati mundësi edhe për ta dyfishuar rezultatin, duke nisur nga shtylla e goditur nga El Sharaui. Mbrojtësi Mançini gjeti goditjen fituese me kokë në fundin e pjesës së parë. Lacio ishte pak më e ndrojtur në pjesën e parë dhe shumë nervoze në të dytën. Sigurisht, nuk munguan momentet e acarimit me lojtarëve.

Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, nuk luajti asnjë minutë në këtë derbi. Ashtu siç ishte parashikuar që në momentin e ardhjes së trajnerit Tudor, që aplikon mbrojtjen me 3 lojtarë, Hysaj ka përfunduar në stol. Futbollisti kuqezi nuk po merr asnjë minutë edhe si zëvendësues dhe ky është një problem më shumë për trajnerin Silvinjo.

Koreografia e tifozëve për derbin ishte nga më të bukurat e viteve të fundit. Par ndeshjes pati tension dhe përplasje mes tifozërive, ndërsa shtypi italian shkruan për disa të arrestuar, mes tyre edhe një kapoultras i Lacios.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë