Teater

Robert Budina: Tentativa për ta shembur Teatrin, është vetëvrasje politike

Me një vit e dy muaj, protesta në mbrojtje të Teatrit Kombëtar është më jetëgjata e organizuar ndonjëherë në Shqipëri, në këta tridhjetë vjet pluralizëm. E megjithëse verën e kaluar, u duk një farë tërheqjeje e kryeministrit, duke tërhequr ligjin special për të hapur garën, gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, të shtunën e 23 marsit, Edi Rama deklaroi, i bindur, se “teatri do të shembet me se s’bën”. Kjo bëri që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të dalë me një deklaratë për mediat, po atë ditë, që u shpreh se kryeministri nuk do të  guxojë të ndërmarrë asnjë hap kundra Teatrit, ndërsa iu bë thirrje qytetarëve t’u bashkohen kauzës, për të ndaluar atë që ky grupim e quan gjenocid urban, që rrezikon të ardhmen e qytetit. Në një intervistë për Gazetën “Si”, regjisori Robert Budina, i përfshirë që prej fillimit në protestat kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe një zë aktiv në mbrojtje të tij, e sheh deklaratën e fundit të kryeministrit si një klithmë dëshpërimi, në një përleshje të gjatë me komunitetin e teatrit.

Protesta  e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit që i la një vit, mund të themi që është edhe protesta më kohëgjatë e organizuar ndonjëherë në Shqipëri, apo jo?

Në dijeninë time po, është protesta ose më mirë qëndresa më jetëgjatë në Shqipëri, por nuk është jetëgjatësia në vetvete gjëja më e rëndësishme, por simbolika që përcjell ajo. E para sheshi i Teatrit për një vit rresht u kthye në kuvendin e munguar të shqiptarëve , ku u demaskuan shumë afera korruptive jo vetëm të qeverisë, por të gjithë politikës aktive dhe jo vetëm, dhe e dyta kishte për qëllim t’u transmetonte shqiptarëve që ta fitosh demokracinë duhet të marrësh pjesë aktive në të. Nuk mjafton ta denoncosh problemin, por edhe të tentosh ta zgjidhësh atë. Qëllimi ynë kryesor në këtë një vit e dy muaj qëndresë të përditshme ka qenë ndërgjegjësimi që njerëzit të mësohen të kërkojnë të drejtën e tyre dhe se, ajo nuk arrihet me një ose dy protesta masive, por me këmbëngulje të gjatë dhe presioni ndaj politikës aktive duhet mbajtur gjithmonë lart.

Një vit më pas, me gjithë qëndresën tuaj, koherente dhe të pandërprerë, kryeministri vetëm pak ditë më parë deklaroi se “teatri do të shembet me se s’bën”. Si e gjykoni deklaratën e tij dhe,  a ka ndërmend Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të ndërmarrë, përshkallëzim masash të protestës?

Deklarata e kryeministrit në Kongresin e PS ishte një klithmë dëshpërimi që në 20 vjet përleshje me komunitetin teatror ai nuk arriti dot ta shembte atë. Pra vetëm një grup i vogël njerëzish, por konsistentë, përballë një makinerie të frikshme propagande që ka qeveria dhe qindra milionë euro interes që përfaqëson projekti i TK arritën të ndalnin deri më tani shembjen e tij, dhe e detyruan kryeministrin që ky të bëhej një nga objektivat kryesorë të Kongresit të PS. Kjo tregon qartë forcën e madhe që ka pasur qëndresa jonë. Madje kjo deklaratë tregon qartazi dorëzimin përfundimtar të Kryeministrit që ai i vetëm nuk mundi dot të arrinte qëllimin e tij të hershëm të shembjes së TK, ndaj ai e pasoi këtë stafetë tek kryetari aktual Bashkisë,  i cili vetëm për të fituar rikandidimin, pranoi ta fillonte fushatën me objektiva të cilat realisht mund t’i ulin besueshmërinë në popull. Mendoj se ky ishte dhe kongresi ku Kryeministri u parapërgatit të kalojë stafetën e pushtetit dhe gradualisht po ndodh ajo që ne e patëm paralajmëruar që para një viti: se Teatri Kombëtar do të kthehet për të si lufta e Kosovës për Millosheviçin, e cila shënoi fundin e pushtetit të tij.

E keni ngritur zërin edhe tek ndërkombëtarët, por në vizitën e fundit shtatë përfaqësuesit e Parlamentit Europian, refuzuan t’ju presin. A pati reagime pas letrës që ju iu dërguat dhe si e patë  këtë shpërfillje?

Përgjatë një viti e dy muajsh protestë ne kemi pasur shumë kontakte me ndërkombëtarët me takime, shkresa dhe kërkesa që u kemi drejtuar atyre, të cilat kanë ndihmuar shumë që kauza jonë të përcillet direkt në Parlamentin Europian, në Bruksel. Këto përpjekje bënë që në verë, qeveria ta ndërronte ligjin special “Fusha” dhe të hapte garën brenda tij, sepse shkelte MSA-në. Pas këtij momenti ndërkombëtarët që përfaqësojnë pushtetin në Europë, morën një pozicion të qartë pro qeverisë sepse më shumë se sa demokracia, atyre u intereson një farë stabiliteti në vend. Në këtë vazhdë ishte dhe refuzimi që ata i bënë kërkesës sonë për takim, por gjithsesi ne atë kërkesë e bëmë në limitet e kohës, sepse nuk ishim në dijeni të vizitës së tyre, që e morëm vesh vetëm një ditë para se të kërkonim takim. Gjithsesi duhet të kemi parasysh se mediat më të rëndësishme ndërkombëtare si “La Reppublica” në Itali, ‘BBC” në Angli, “Deutche Welle” në Gjermani, “Der Standart” në Austri, i kanë bërë jehonë të gjerë protestës së Teatrit dhe këto prononcime gradualisht po ndërrojnë perceptimin në fushën ndërkombëtare të situatës, në Shqipëri.

Pak ditë më parë ju patët një takim me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, gjithashtu keni marrë pjesë edhe në disa prej protestave që ka zhvilluar opozita. Pse vendosët t’i bashkoheni opozitës?

Kryetari i Opozitës z. Basha e ka deklaruar disa herë që është i frymëzuar nga protesta për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe e ka marrë si shembull për ta ndjekur dhe në strategjinë e tij opozitare kundër qeverisë. Takimi që opozita organizoi, ku ishin të ftuar pjesa më e madhe e Aleancës për Teatrin dhe shumë intelektualë të tjerë, që kanë dhënë kontribut direkt për Mbrojtjen e Teatrit,  u zhvillua në mënyrë që të hapet një debat me forcat intelektuale më pozitive në Shqipëri se si mund të ndryshohet kjo situatë që po i merr frymën vendit. Dhe realisht në atë debat dolën mendime dhe ide që mund ti shërbejnë demokracisë.

Ky nuk është takimi i parë që disa nga anëtarët e Aleancës zhvillojnë me opozitën. Që në fillesat e protestës sonë, opozita është deklaruar që Teatri është vija e kuqe dhe qeveria nuk mund ta shkelë atë. Më pas i gjithë informacioni që ne i ofruam opozitës u përdor prej saj në komisionet parlamentare për të demaskuar aferën korruptive që fshihej pas projektit të shembjes së Teatrit Kombëtar. Së bashku me opozitën ne kemi organizuar dy protesta të mëdha, para parlamentit, kur maxhoranca e votoi ligjin për herë të parë dhe para presidencës, kur e votoi për herë të dytë.

Përsa i përket protestave që organizon opozita, nuk ka asgjë të bashkërenduar me Aleancën për Teatrin sepse ato janë protesta që shkojnë shumë më tej se sa çështja e Teatrit. Pjesëmarrja në protestat e opozitës është individuale, kush e ndjen shkon dhe merr pjesë në to.

Regjisori Robert Budina

A mendoni se çështja e Teatrit është tashmë çështje mirëfilli politike? Apo e tillë ka qenë që në fillim të debatit?

Sigurisht që çështja e Teatrit ka qenë mirëfilli politike që në fillim,  sepse në të përfshihet ajo që Shqipëria është sot: varfëria e artisteve që u përdor nga pushteti justifikim si për të ndërtuar një Teatër të ri në bashkëpunim me PPP-të meqë buxheti i shtetit nuk kishte lekë, shkelja e kushtetutës që bënte ligji për shembjen e teatrit dhe mbjellja e parave të pista tek kullat që do të ndërtoheshin në territorin e Teatrit. Zor të gjesh një çështje tjetër në Shqipëri që i përmbledh të gjitha si Teatri.

Në mediat gjermane thuhej se çështja e teatrit do t’i shkurtojë karrierën politike Edi Ramës. E jeni optimistë, që tanimë që çështja është bërë publike dhe pasqyruar edhe në media ndërkombëtare, kryeministrit nuk do t’i mbetet gjë tjetër veçse të tërhiqet?

Nuk e di çfarë do të bëjë kryeministri, por di që ne do ta çojmë deri në fund Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, sepse në thelb bëhet fjalë për Mbrojtjen e Demokracisë, e cila mesa duket ende nuk ka ardhur e plotë në Shqipëri. Dhe sigurisht që ne do të fitojmë dhe jam i bindur që çështja e Teatrit nuk dogji vetëm kryeministrin aktual, por do të djegë si figurë politike edhe kryetarin e bashkisë,  që aspiron t’i zërë vendin kryeministrit. Tentativa e tyre për ta shembur me çdo kusht Teatrin Kombëtar është vetëvrasje politike.

Në rast se kryeministri do ta vërë në jetë atë çka deklaroi të shtunën nga kongresi, për prishjen e godinës, si Aleancë çfarë do të bëni? Po përtej grupimit tuaj, çfarë thirrjeje keni për qytetarët e Tiranës, por edhe për të gjithë shqiptarët?

Para se ata të shembin Teatrin Kombëtar fillimisht duhet të shkojnë në zgjedhjet lokale,  ku me sa duket opozita nuk do të marrë pjesë, dhe në çdo rast zgjedhjet nuk do të mund të jenë legjitime të paktën nga ana morale pa opozitën. Kështu që shembja e Teatrit Kombëtar me atë votë, nuk mund të jetë kurrsesi problem vetëm i Aleancës për Teatrin,  por i të gjithë popullit opozitar. Nëse qeveria e ndërmerr një iniciativë të tillë do të thotë që diktatura ka mbërritur de facto në Shqipëri dhe Mbrojtja e Teatrit për pasojë e demokracisë bëhet një imperativ për të gjithë forcat pozitive që e duan lirinë. Ne do të sensibilizojmë këto forca dhe do ta mbrojmë Teatrin deri në fund. 

*Intervistoi: Suadela Balliu

 

Më Shumë