Libra

Roald Dahl – Magjia e leximeve në çdo moshë 

Fëmijë duke lexuar librin "Çari dhe Ashensori i Madh prej Xhami" në Bibliotekën "Hamit Beqaj".

Suadela Balliu - Kur Ana Shkreli, nga Botimet Çabej më dërgoi një mesazh përpara festave të fundvitit, për të më thënë se dëshironte të më dhuronte librin më të ri për fëmijë, me premtimin “të shkrin gazi!”, nuk e dija se bëhej fjalë për “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami”, të autorit anglez Roald Dahl. Por, as Ana nuk e dinte, se ky autor ishte një nga më të dashurit e fëmijërisë sime. Me ta marrë, u transportova menjëherë në të shkuarën. Do të kem qenë gjashtë vjeç, kur prindërit më dhuruan librin “Gjiganti i Madh i Mirë” dhe emri i shkrimtarit në ballinën e librit më tingëllonte i çuditshëm; më dukej gati se ish harruar ndonjë bashkëtingëllore në mes të zanoreve të emrit dhe një zanore mes bashkëtingëlloreve të mbiemrit. Por përtej hutimit të parë, GjMM-ja më kishte rrëmbyer të tërën dhe ndërsa lexoja e imagjinoja veten në vend të Sofisë, në pëllëmbën e stërmadhe të gjigantit miqësor, i cili shumë fjalë i shqiptonte gabim, ngarendja fushave me të dhe e besoja njëmend se ëndrrat mund të ziheshin me rrjetë, bash si fluturat...

Madje edhe shumë vite më pas, kur më ra të bisedoja me një zotëri që i kalonte të dy metrat në gjatësi, i thashë se më ndërmendte një prej heronjve të vegjëlisë sime; Gjigantin e Madh, të Mirë, edhe pse bashkëbiseduesi nuk ia kishte idenë se për çfarë e kisha fjalën. “GjMM” mbetet ende një nga librat më të dashur për mua, ndërsa kjo dhuratë e shtëpisë botuese “Çabej” ma solli sërish emocionin, edhe pse me një titull të ri. Magjia është po ajo. “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” ndjek aventurat e Çarli Buketit dhe Vili Vonkës nga klasiku “Çarli dhe Fabrika e Çokollatave”, me ashensorin që vozit në hapësirë më mirë se një anije kozmike, me astronautët trima, dy aventurierët, prindërit dhe gjyshërit e Çarlit, vermiciet përbindëshe, recetat magjikë të Vili Vonkës, vendin e frikshëm Minusland dhe udhëtimin para dhe pas në kohë. Botimet “Çabej” kanë sjellë një pjesë të mirë të krijimtarisë për fëmijë të Roald Dahl, ku veç aventurave të Çarlit vjen një prej heroinave më të dashura të fëmijëve “Matilda”, vogëlushja me mendje magjike, po ashtu edhe “Shtrigat”, ato prej vërteti të Dahl-it, me qullin e tyre magjik blerosh, bërë me lëng bretkose dhe padyshim, nuk mungon “Gjiganti i Madh i Mirë” dhe aventurat e Sofisë së vogël me mikun e saj të madh dhe zemërmirë, në përpjekje për të shpëtuar fëmijët e Anglisë nga kollofitja prej gjigantëve të këqij. I botuar fillimisht në vitin 1982, ky libër e vendosi Roald Dahl mes shkrimtarëve më të dashur të fëmijë, të të gjitha kohërave.

Në shqip do ta sillte mjeshtërisht të përkthyer shkrimtari Naum Prifti, i cili pasi përktheu edhe dy vepra të tjera të autorit anglez , me origjinë norvegjeze, “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” dhe “Çarli dhe Fabrika e Çokollatave”, do të rrëfente miqësinë e pazakontë, tridhjetëvjeçare me autorin Roald Dahl. Ishte pikërisht botuesja e “Çabej”, Brikena Çabej asokohe Drejtuesja e Redaksisë së Jashtme, e cila do t’i jepte shkrimtarit shqiptar për recension librin “The Big Friendly Giant”. “Romani më mahniti me fantazinë dhe humorin e derdhur natyrshëm. Ishte e qartë se përkthimi kërkonte më shumë se njohje të gjuhës angleze, për të mos humbur shpotinë e gjuhës dhe vlerat e përmbajtjes”, do të kujtonte Naum Prifti, duke rrëfyer edhe sfidat për të shqipëruar gjuhën plot humor të Dahl, duke mos e humbur pikërisht këtë humor as në shqip. “Gjiganti dhe unë nisëm rrugën drejt hyrjes në panteonin e përkthimeve humoristike”. Shqipërimi do të rrëfente pas tre dekadash tashmë Prifti, shkonte më larg se përmbajtja gjuhësore. “Për të ruajtur humorin dhe për të arritur efektet përkatëse komike të veprës origjinale, së pari m’u desh të mësoja teknikat e humorit anglez të përdorura nga Dahli në veprën e tij, sikurse transpozicionet e rrokjeve brenda fjalës, të cilat ia ndryshonin krejt kuptimin fjalës”.

https://www.youtube.com/watch?v=5JvSs9r8Wtw
Gjiganti i Madh i Mirë, prodhim i Disney, me regji nga Steven Spielberg

Kështu, “gabimet” e Gjigantit, i cili nuk kishte pasur fatin të shkonte në shkollë, Naum Prifti do t’i kthente në fjalë që do të shkaktonin të qeshura tek lexuesit. Kështu zarzavatet do të ktheheshin në zjarrzavate, rinoqeronti në gojën e gjigantit që fliste shqip do të ishte rinoqeros, gjërat misterioze bëheshin mishorizore, llafazanët ishin llafellazanë, gjepurat në gojën e gjigantit tingëllonin si  gjel-pula, trangulli- ushqimi i gjigantit -  do të ishte teleshtrangull e shumë e shumë fjalë të tjera, që lexuesi i has duke lexuar librat e Dahl, të përkthyer mjeshtërisht nga Naum Prifti. “Për mua, përkthimet janë po aq të vlefshme sa edhe krijimet e mirëfillta”, thotë Prifti, duke zbuluar se vazhdon ta ruajë miqësinë e vjetër me krijuesin e personazheve të paharrueshme letrare dhe mjeshtrin e lojërave të fjalëve, duke i sjellë lexuesit shqiptar tre vepra klasike të letërsisë botërore për fëmijë.

Prifti u njoh dhe nisi miqësinë e gjatë me Roald Dahl në vitin 1990, vit kur autori u nda nga jeta, duke na treguar edhe njëherë se shkrimtarët nuk vdesin kurrë, për aq kohë sa veprat e tyre mbeten gjallë. Dhe librat e Dahl vazhdojnë të jenë po aq popullorë, duke shitur afro 10 milionë kopje çdo vit. I lindur në Uells nga prindër që kishin emigruar nga Norvegjia, Dahl shërbeu në Forcat Ajrore Mbretërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa si shkrimtar nisi të marrë famë në vitet ’40, me veprat për fëmijë por edhe për të rritur dhe u bë një nga autorët bestseller. Ai është cilësuar si “një nga tregimtarët më të mëdhenj për fëmijë të shekullit të 20-të” . Më 2008-ën, Times e renditi Dahl-in të gjashtëmbëdhjetin në listën e “50 shkrimtarëve më të mëdhenj britanikë, që prej vitit 1945”.

Tregimet e shkurtra të Dahl-it njihet për fundet e papritura dhe librat për fëmijë për humorin e zymtë, të pandjeshëm dhe shpesh të errët, me armiq të rritur të personazheve fëminore, por edhe për zemërbutësinë. Magjia, në të gjithë format e saj , është thelbësore për letërsinë e Dahl dhe me personazhe si Matilda, Shtrigëmadhja, Gjiganti i Madh i Mirë apo  Vili Vonka, vepra e Dahl ka mbërthyer dëshirat e brendshme, frikërat dhe identitetet e fëmijëve,  të të gjitha moshave.  “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” më transportoi edhe njëherë në magjinë e fëmijërisë, kur leximi nuk është sfidë intelektuale, por një portë drejt botëve fantastike, të prekshme dhe reale, përmes forcës së imagjinatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë