Ka ndodhur

Rivotimi i Kodit të ri Zgjedhor, Bardhi: Rama si Lukashenko

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me rivotimin urgjent të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Kuvend.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, është shprehur se Shqipëria sot është më pak demokratike, teksa e ka krahasuar kryeministrin Rama me presidentin bjellorus Lukashenko.

“Me rrëzimin e dekretit të presidentit, duke refuzuar thirrjen e Bashkimit Europian për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e njëanshëm Zgjedhor, Shqipëria sot është më pak demokratike dhe më pak europiane. Qeveria e Edi Ramës është identifikuar në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore europiane si një qeveri që punon kundër integrimit europian dhe kundër interesit të qytetarëve. Me refuzimin që i bëri thirrjeve të përsëritura të BE, Rama nuk ndryshon nga Lukashenko”, shprehet Bardhi.

Ndër të tjera, ai thotë se “Për pushtetin e tij personal është gati ti vërë zjarrin Shqipërisë, t’i ndëshkojë shqiptarët duke penguar me dashje hapjen e anëtarësimit të vendit në BE. Injorimi i thirrjes së BE për opinionin e Komisionit të Venecias, e izolon tërësisht Shqipërinë dhe e fut në hartën e vendeve që janë në kurs përplasje me Europën. Kjo është përgjegjësi e një njeriu që pushtetin e tij personal e vendos mbi interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë