Treg

Rivlerësimi, Imobiliarët: Presim të ulen çmimet e pasurive të paluajtshme

Kreu i Kadastrës Artan Lame ka lajmëruar sot (të enjten) se sapo ka nisur amnistia për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten pranë sporteleve të ADISA-s për të aplikuar për procesin e rivlerësimit të pasurive të tyre.

Lame sqaroi gjithashtu edhe mënyrën si do të bëhet aplikimi, ku në muajt shkurt dhe mars, do të kryhet rivlerësimi për qytetarët që ju shërben në kuadër të ndjekjes së procedurave të tjera emergjente, ndërsa në muajt e tjerë, deri në shtator kur mbyllet procesi, bëhet shërbimi për pjesën tjetër të qytetarëve të interesuar.

Gjatë dhe pas përfundimit të këtij procesi, agjencitë imobiliare presin që të ulen çmimet e pasurive të paluajtshme në treg.

Dritan Leka nga Century 21 thotë për gazetën “Si” se “Presim një kërkesë të madhe për realizimin e rivlerësimit dhe presim që kjo të ndikojë pozitivisht në në dy aspekte: Uljen e çmimeve të shitjes për pasuritë e paluajtshme që shiten nga individet si rrjedhojë e uljes së detyrimeve fiskale; dhe rritjen e transaksioneve të shitjes si rrjedhojë e pikës së parë.”

Leka mendon gjithashtu se klientët e parë pritet të jenë të gjithë individët të cilët kanë përfituar pasuritë e tyre nga trashëgimitë apo kontratat e dhurimit, gjithashtu edhe ata të cilët nuk e kryen procesin dy herët e mëparshme të amnistisë për arsye të ndryshme.
Por përfitimi më i madh për të gjithë, sipas Lekës është shtimi i transaksioneve të shitjes që pritet të ndodhë.

Leka nga Century 21 shpjegon se ka kërkesa të shumta për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme.

Kategoritë që qasen pranë zyrave të kompanisë ku ai operon janë klientë të rinj apo të kahershëm tanët, të cilët planifikojnë që në të ardhmen të shesin pronat që disponojnë dhe të përfitojnë nga kjo amnisti.

Sigurisht, që përpara se të merrej vendimi, shpjegon ai, patëm një frenim të transaksioneve të shitjes, pasi lajmi se do të kishte rivlerësim të pasurive të paluajtshme u bë publik nga mediët.

“ Në vazhdim, nga fillimi i këtij viti periudhë dhe e parashikuar nga VKM në fjalë, kemi pasur vazhdimisht kërkesa për rivlerësim si dhe transaksione të nisura e të pafinalizuara sepse klientet janë në pritje të këqtij procesi, i cili duhet thënë se është shumë facilitues pasi nga 15% tatim do të mund të paguhet vetem 3% për pronat që shiten.”- sqaron për gazetën “Si”, Leka duke shtuar se “Nga informacionet që kemi në rrugë jozyrtare, deri më sot pritej që VKM të shoqërohej me një udhëzim të Ministrisë së Financave se si do të procedohej (ky udhëzim u lëshua pikërisht sot). Gjithashtu pritet që AKSH të realizojë edhe një ndërfaqe ëeb për platformën e-albania nëpërmjet të cilës të realizohen aplikimet. Pasi tashmë të gjitha aplikimet për në Kadastër bëhen online nëpërmjet e-albania.”

Në fakt udhëzimi që i çel rrugën procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme më në fund është miratuar edhe pse e ka lënë pezull procesin për gati një muaj.

Në udhëzimin e hartuar prej Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, janë bërë të ditura rregullat dhe procedurat për rivlerësimin e pasurisë, si dhe mënyra se si do të bëhet aplikimi për rivlerësim online, pranë zyrave të Kadastrës apo tek një ekspert i licensuar.

Personat e interesuar për të bërë rivlerësimin e pronës së tyre do të paguajnë si tatim 3% të diferencës mes çmimit me të cilin është blerë një apartament apo një pronë tjetër e paluajtshme dhe atij me të cilin do ta shesin atë, nga 15% që është normalisht. Kurse personat juridikë do të tatohen 5%.

Në udhëzim është specifikuar gjithashtu edhe se si do të procedohet me personat që do të dëshirojnë të rivlerësojnë dy apo më shumë prona.

“Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive”, citohet në udhëzim.

Vlerësohet se pjesë e procesit mund të bëhen 50 mijë pasuri, që nga banesat private (shtëpi apo apartamente), por edhe prona të tjera të patundshme si biznese, etj.
Parashikohet që efekti ë në buxhetin e shtetit të jetë rreth 6 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë