Politike

“Rivali” i Bashës për kreun e PD pranon mandatin, Kuvendi me 106 deputetë


Erion Piciri pritet të jetë deputeti më i ri Partisë Demokratike. Ai ka depozituar formularin e Dekriminalizimit në KQZ, duke pranuar marrjen e mandatit, pavarësisht se fillimisht ai do të shprehej se nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë. Ai është renditur i 26 në listën e shumëmërore të PD-së për qarkun e Tiranës.
“Të nderuar opozitarë dhe qytetarë shqiptarë! Në pajtim me vullnetin e shumicës opozitare e qytetare, si dhe në koherencë me parimet e mia për të djegur regjimin, por jo parlamentarizmin, do hyj në kuvend, të ushtroj një mandat komunikimi që nxit ndryshimin. Nisur nga rrethanat, me ndjeshmëri maksimale ndaj protestës tonë kombëtare, prezenca ime do jetë e kufizuar dhe në asnjë formë nuk do asociohet me regjimin. E di se i vetëm nuk mund të ndryshoj politikat dhe legjislacionin në këtë parlament, por që nga podiumi i kuvendit mund të përhapim frymën e modernizimit. Ju siguroj për besnikëri, ndershmëri dhe vërtetësi, një luftë të pastër për ta pjekur ndryshimin e Shqipërisë në disa hapa. Nuk ka nevojë për opozita të reja, për diversione, për shpallje kryetarësh pa anëtarë, për të bërë lojën qeveritare, por për një mobilizim kombëtar rreth disa principeve dhe ideve që na bashkojnë”, shprehet Piciri nëpërmjet një postimi në Facebook.
Marrjen e këtij mandati, ai e konsideron si një mundësi për të nisur ndonjë lëvizje të re politike, po brenda PD-së.

Piciri rivalizoi Lulzim Bashën në garën e fundit elektorale, por kandidatura e tij nuk u pranua për shkak se nuk ishte anëtar i Partisë Demokratike. Beteja për kreun e PD-së u zhvillua mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit.

KQZ jep mandate të reja, Kuvendi shkon në 106 deputetë
Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në mbledhjen e nesërme do të japë 4 mandate deputetësh për Kuvendin e Shqipërisë. Në total Parlamenti shkon në 106 deputetë nga 140 që ka në total.
KQZ do të japë mandatin e deputetit për Andi Përmetin e PD-së për qarkun e Korçës, për Eugen Bojaxhiun e LSI-së për qarkun e Beratit, Erion Picirit për qarkun e Tiranës dhe Fajtona Koço e PD-së për qarkun e Gjirokastrës.

Gjithashtu KQZ-ja do të shpallë pamundësinë për dhënien e mandatit për disa kandidatë për listën shumëmërore. Shkëlqim Hoxha dhe Besnik Fuçia kandidatë të listës së PD-së për Tiranën; Petrit Vargu i LSI-së për Tiranën nuk kanë pranuar të plotësojnë formularin e dekriminalizimit në KQZ, duke u vetëpërjashtuar nga marrja e mandatit të deputetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë