Libra

Rita Petro, në një rrëfim për letërsinë dhe shijen erotike të jetës…

Nga Luljeta Nelallari - “Unë e ndjeva se do bëhesha poete, sepse fillova t’ua jap disa poezi të tjerëve dhe ndjeva sikur shkruaja pak më ndryshe”. Kështu e kujton me nostalgji gruaja e lirë dhe pasionante Rita Petro, zanafillën e shkrimit për të.
E buzëqeshur dhe mikpritëse, në një kënd të zyrës së saj që ngjan si një shtëpizë e vogël me aromë librash, Rita Petro kthehet pas në kohë dhe në Ditën Botërore të Librit vjen në një rrëfim të sinqertë për librin, për fillesat e saj, debatet për poezinë provokuese që ajo ka sjellë në letërsinë shqipe, vijimësinë si poete, e sfidat e shkrimtarëve sot.
Rita Petro njihet si gruaja e guximshme e letrave shqipe për poezinë e saj provokuese, goditëse dhe erotike, por kjo qasje ndaj poezisë ajo thotë se ka lindur që në fillesat e saj.
“E dija që poezitë e mia nuk ngjanin me poezitë e tjera që lexoja. Fillova t’i çoj te gazeta Drita ose Revista Nëntori. Pra, në momentin që fillojnë të të botojnë dhe sidomos te gazetat që kishte një lloj censure, vërtet ishte ideologjike, por prapë duhet të kishe një nivel të shkruari, fillova ta kem atë besimin”, më rrëfen poetja gjatë bisedës.
Në vitin ’93, ajo erdhi me vëllimin e parë me poezi “Vargje të përfolura”, por ajo me bindje më thotë se kurrë nuk e ka censuruar veten. E pikërisht liria dhe guximi i të mos pasurit frikë i dha asaj një tjetër dimension në poezi, një identitet të vetin.
“Unë i botova në vitin ‘93 sepse unë se kam censuruar asnjëherë veten pasi nuk ekzistonte më censura. Ka shkrimtarë që kanë atë censurën ndaj vetes së vet, por unë do thosha që kur në të shkruar sinqeriteti kthehet në stil dhe ka një estetikë të caktuar me të cilën lidhet atëherë sinqeriteti ka një vlerë shumë të madhe”, thotë me bindje Rita, ndërsa shton se që atëherë “kam goditur me titullin ‘Vargje të përfolura’. Të gjithë çuditeshin sepse as kishin dëgjuar një titull të tillë dhe unë kam parandier atë gjënë që do përfliteshin disa nga poezitë”.
Për të sjellë këtë poezi provokuese, Rita më tregon se gjithmonë është frymëzuar nga letërsia tronditëse. Me një elokuencë në të folur, ajo rrëfen edhe qasjen që ka ndaj poezisë erotike. Sipas saj erotizmi nuk është thjesht një dukuri intime e personale, por edhe një hapësirë filozofike. “Nuk kam dashur të bëj poezi tematike, njeriu merr atë shijen e mrekullueshme të vezës kur t’i përpiqesh të lëpish edhe gishtat kur e kuqja e vezës rrjedh, pra kjo është shija erotike e jetës, shija më e lartë”, më tregon e buzëqeshur ajo, ndërsa thotë se “raportin seksual e kam parë si diçka që është instinkt te njeriu. Pikërisht dëshira ime ka qenë që njeriu të çlirohet nga kjo gjë, sepse instinkti nuk është as moral as amoral ato ndodhin brenda nesh”.

Në poezitë e saj herë pas here ka zbulime të nënvetëdijes, të cilat ajo i derdh në vargje delikate dhe elegante. E për vëllimin poetik “Vrima”, ajo thotë se ishte përmbledhje e atyre temave që kishte trajtuar, por lexuesi u zgjerua, ndaj sipas saj goditi fort.
“Në librin “Vrima” u zgjerua rrethi i lexuesve dhe që është ai raporti çfarë është poezia, ato ishin poema që kishin një lloj ngjarjeje: individ që lind dhe kalon jetën e tij deri në ekzaltim dhe pastaj vjen vdekja”, vijon më tej Rita dhe shton se “ne ishim mësuar ta pranojmë erotizmin në letërsinë e botës, por asnjëherë s’kemi dashur të pranojmë të shkruhet edhe në Shqipëri kjo gjë dhe aq më tepër nga një grua”.
Teksa e pyes nëse do të veçonte ndonjë poezi të saj si më të dashurën për të, ajo të përgjigjet: “A të kam thënë ndonjëherë që dua të vdes në pranverë”, duke e lidhur edhe me dashurinë e saj të madhe për bashkëshortin e ndjerë, botuesin Latif Ajrullai.
“'A të kam thënë ndonjëherë që dua të vdes në pranverë’, është një nga poezitë e mia më të dashura. Isha në kulmin e dashurisë me partnerin tim që sot nuk jeton më. Unë në përgjithësi poezinë asnjëherë nuk e shkruaj në moment, pra tani më ndodhi kjo situatë dhe unë po e shkruaj”, duke më rrëfyer kështu edhe dashurinë e madhe për bashkëshortin, me një zë gati të palexueshëm, por pa u përlotur. E gjatë rrëfimit të saj të sinqertë për letërsinë, ajo i mëshon fort faktit se arti nuk do vetëm emocion, por edhe logjikë.
“Gjithmonë kam mendimin se tronditjet e gëzimet shumë të mëdha, emocioni shumë i fortë ta prish arsyen sepse arti do dhe logjikën e ftohtë që lidhet me teknikën, dhe prandaj asnjëherë nuk jam bërë pre e asaj që më ndodhi”, më rrëfen me një buzëqeshje të lehtë poetja Rita Petro.
Por si shkruan Rita Petro, gruaja që u jep shpirt pasioneve që të shumtët nuk guxojnë t’i rrokin as me mendje? A ka një kënd të caktuar për t’u ulur dhe për të shkruar? Duke e cilësuar poezinë si një koncentrat, ajo do më rrëfejë që poezia e mirë vjen në distanca kohore kur lind siç e thotë vetë Rita “adrenalina e të shkruarit”.
“Unë hyj tek ato poetë që shkruan pak, që pret t’i vijë frymëzimi ajo adrenalina e të shkruarit. Por nuk është vetëm kjo sepse duhet të vijë momenti që të përputhet dhe mendimi dhe logjika të kapësh thelbin se është koncentrat në fund të fundit poezia dhe ndaj unë gjithmonë kam pritur frymëzimin mund të ketë ndodhur dhe pas 5 vjetësh dhe pas 10 vjetësh si në rastin e librit vrima dhe ishte një shpërthim gati vullkanik”.
Rita Petro thotë se vëllimet poetike kanë ardhur përgjithësisht kur ka qenë e dashuruar dhe, jo, nuk ka një kënd ku ajo shkruan. Vargjet e saj lindin kudo, edhe në hapësirën e pafund të detit.
“Në përgjithësi mua më ka ndodhur kur kam rënë në dashuri, dhe prandaj i kam të rralla sepse dashuritë i kam shumë të gjata dhe kur bie ndodh diçka në trurin tim. Mua më pëlqen shumë deti dhe noti dhe shumë nga vargjet e librit ‘Vrima’ i kam shkruar në verën e 2014-s duke notuar në det, vargje pa fund i kam bërë duke notuar dhe pastaj dilja i shkruaja”, më rrëfen Rita, ndërsa më thotë më tej se “nuk ka vend që unë të them unë u ula dhe po shkruaj tani, në zyrën e punës mund të rregulloj”.
Si një emër i konsoliduar i letrave shqipe, ajo thotë se poetët e sotëm janë përballë disa sfidave. Rita është realiste kur thotë se poetët e mëparshëm kanë krijuar individualitetin e vet, e sipas saj një gjë e tillë nuk vihet re më te të rinjtë.
“Sfida e parë është që poeti të krijojë individualitetin e vet dhe unë mendoj që shumë pak janë që ti i lexon disa vargje dhe thua këto vargje janë të këtij poeti. Shumica nuk është se bën dallim, të duket sikur një njeri i ka shkruar të gjitha”, më rrëfen ajo.
Një tjetër sfidë e poetëve sot është se poezia ka një lexues të kufizuar, por ajo nuk është krejt mohuese, pasi poezia tashmë mund të lexohet shumë lehtë edhe në rrjetet sociale.
“Sfida e dytë është se poezitë nuk shiten, është përballë sfidës që ka lexues shumë të kufizuar. Por poezia ka prioritetet sepse lexohet edhe në rrjetet sociale dhe ata që janë poetë vërtet të mirë më parë njerëzit i lexojnë një poezi dhe ai e ka dhënë mesazhin e vet se sa një libër që përmbledh shumë poezi është një libër shumë i vështirë për t’u lexuar”, vijon më tej poetja.
Ajo e përfundon rrëfimin duke thënë se “poezia e letërsia është më shumë pasion sesa për të fituar, ndaj jam edhe kritike ndaj 'qarjeve' dhe hatërmbetjeve për mosmbështetje nga institucionet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë