Sport

Ringjallja e shahut në Shqipëri, sporti që zhvillon muskujt e mendjes

I ardhur si sport në Shqipëri në vitet 30’ të shekullit të shkuar, shahu ishte fillimisht si një sport i elitave. Vetëm pjesa e intelektualëve dhe kryesisht ata që ishin shkolluar jashtë vendit, ishin lojtarët e parë që sollën shahun në Shqipëri, por bumin e vërtetë ky sport do e merrte gjatë periudhës së sistemit komunist. Në periudhën mes viteve 60’ dhe 70’ shahu në Shqipëri ishte një sport masiv që luhej nga të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël. Por si çdo sport apo edhe aktivitet social e kulturor edhe shahu do të prekej ndjeshëm nga periudha e tranzicionit social-politik që vendi ynë përjetoi.

Pas kësaj përgjumje më shumë se 25-vjeçare, duket se edhe për këtë sport ka ardhur koha që ringjallët në gjurmët e historisë së tij. Arian Bllaca, një shahist dhe trajner me moshat e reja në Tiranë na e jep këtë shpresë. Duke folur për Gazeta "Si", Bllaca më tregon se në 4-5 vitet e fundit shikohet një tendencë për ta ringritur sportin e shahut në nivelet e dikurshme. Me pasionin e madh për këtë sport që i dallohet shumë lehtë, Bllaca nis dhe tregon për aktivitetin më të fundit të shahut për të rinj.

“Ishte një aktivitet ndërkombëtar me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit me moshat e reja, nga 7 vjeç deri në 18 vjeç. Një turne 4-ditor, ku ishin rreth 60 lojtarë nga Shqipëria dhe 20 nga vendet e rajonit. Kjo ishte hera e parë që u organizua në Shqipëri një aktivitet i tillë me iniciativën e Shoqatës së shahut “Mjeshtrat e sportit Albania”. Organizimi ishte duke marrë shembullin e vendeve të rajonit. Vështirësitë para ishin në planin financiar dhe për bazën materiale, por për këtë ka qenë shumë prezentë mbështetja e Federatës Shqiptare të Shahut. Federata na mbështeti me anën teknike dhe me bazën materiale”, thotë ai

Sipas Bllacës, ky ishte një sinjal i parë dhe shumë shpresëdhënës se shahu mund të marrë një rrugë të mbarë për t’u bërë masiv. Sipas tij kjo atmosferë pozitive për shahun ka marrë shtytje të madhe nga Federata që po ndihmon në kapërcimin e vështirësive, sidomos ato teknike dhe burokratike. Për Bllacën puna e nisur prej disa vitesh është si një tentativë për të rivitalizuar një tokë të djegur që dikur ka qenë shumë pjellore.

Trajneri Arian Bllaca me shahistët e rinj gjatë aktivitetit më të fundit

“Por në këto 5 vitet e fundit sigurisht me udhëheqjen e Federatës Shqiptare të Shahut ka nisur një proces për ringjalljen e shahut. Sigurisht është shumë e vështirë se ne përballemi çdo ditë të punës sonë me vakancën e madhe që gjatë këtyre viteve nuk është luajtur shah dhe ka mangësi të mëdha. Ne kemi filluar një punë intensive, duke filluar me përkthimin e literaturave të shahut, përgatitjen e materialeve didaktike për shkollat dhe trajnimin e trajnerëve të shahut në vend. Kanë ardhur disa trajnues nga më të mirët në Europë dhe botë për të dhënë leksione për shahun dhe le të themi në këto 5 vitet e fundit të gjithë bashkë ne njerëzit e dashuruar me shahun kemi filluar me mbjelljen e atyre parcelave që janë djegur në këto vite të tranzicionit politik”, tregon ai.

Aleksandër Xhambulla në momentin e marrjes së medaljes

Në turneun e fundit që u organizua në Shqipëri u dhanë sinjale të forta nga disa shahistë të rinj, por ai që i habiti të gjithë ishte Aleksandër Xhambulla. Duke qenë trajner i tij, Arian Bllaca i kursen lëvdatat edhe pse nuk mund ta fshehë plotësisht se bëhet fjalë për një “fenomen” në sportin e shahut, i cili brenda një viti ka arritur dhe ka kaluar hapin e shokëve, duke kulmuar me vendin e parë në turneun e fundit, një sukses që për të pritet të pasohet nga të tjerë edhe më të rëndësishëm. “Pretendenti kryesor paraprakisht në këtë turne, ishte një shahist nga Mali i Zi, por që doli në vendin e 9 në këtë turne. Nga djemtë tanë shkëlqeu Alket Çaushi, Labjon Saliaj, Elisa Isufi, Kidar Meleqin dhe Aleksandër Xhambulla. Unë mund të veçoj nga të gjithë shahistët e rinj që morën pjesë në këtë turne, Aleksandër Xhambullën, i cili me këto ritme që po ecën besoj se brenda një kohe të shkurtër do të korrë suksese të mëdha jo vetëm brenda vendit tonë, por besoj se edhe jashtë do të jetë një mjeshtër shumë i mirë në shah. Të gjithë janë të befasuar nga rezultatet e tij, pasi ka vetëm një vit që ka filluar shahun sportiv. Ritmet e tij janë gati të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të përfaqësoj Shqipërinë në olimpiadat europiane dhe ato botërore”, vijon ai.

Sfidat e shahut në Shqipëri te fëmijët

Duke qenë se në vitet e para të daljes nga sistemi komunist, sporti i shahut pothuajse u zhduk, Arian Bllaca tregon se ka qenë dhe vijon të jetë një sfidë më vete marrja dhe afrimi të rinjve me këtë sport. “Pas viteve 90’ sporte si shahu mbetën jetim dhe vijuan të ushtrohen vetëm për inerci. Pastaj për t’u marrë me fëmijët është një sfidë më vete dhe kjo vështirësi rritet akoma dhe më shumë kur bëhet fjalë për shahun. Por të merresh me fëmijë që e kanë shahun është më e thjeshtë. Unë zakonisht kur marr fëmijë iu bëj pyetjen nëse e ka vetë qejf shahun, apo e kanë sjellë prindërit. Në këtë sport duhet të kesh pasion fillimisht dhe më pas shumë punë.”

"Grand Masteri" i Shqipërisë Erald Dervishi dhe trajneri Arian Bllaca

Por përtej këtyre vështirësive që ka prodhuar koha, tashmë është më e lehtë për të mësuar dhe praktikuar shahun. Mund të duket pak paradoksale, por shahu është ndoshta i vetmi sport i cili teknologjinë nuk e ka armike, por një aleate shumë të fortë. “Unë filloj me gjëra të thjeshta, pasi janë fëmijë dhe më pas unë iu kam lënë hapësirë të pafundme edhe në mënyrë individuale. Ne tani e kemi edhe më komode, pasi fëmijët mund të luajnë në internet përballë kundërshtarëve real dhe në të njëjtën kohë, unë apo kolegë të mi mund t’i kontrollojmë në kohë reale se si luajnë apo çfarë rezultatesh arrijnë.”

Durrësi, Berati, Gjirokastra, Shkodra janë disa nga qytetet që po ndjekin Tiranën në këtë proces ringritje për sportin e shahut. Nga këto qytete që e kanë pasur traditë sportin e shahut, shumë shpejt ne do të kemi mjeshtra shumë të mirë shahu, tregon trajneri Bllaca.
“Shqipëria ka disa qytete me traditë në shah. Sigurisht Tirana ka qenë qyteti që ka pasur më shumë klube shahu, pasi ka qenë edhe është në fakt qendra intelektuale e vendit. Por unë mund të përmend edhe disa qytete që kanë pasur traditë si, Durrësi, Berati, Gjirokastra apo edhe Shkodra. Në këto qytete me kontributin dhe iniciativën e shahistëve të vjetër po punohet që të ringjallet tradita dhe mund të them që shenjat e para janë shumë pozitive.”

Si hap i parë, masivizimi i këtij sporti ka ecur në rrugë të mbarë, por sipas trajnerit Arian Bllaca faza e dytë do të jetë më e rëndësishme, aty ku do të kërkohet rritja e cilësisë nga këta shahistë të rinj për të arritur edhe një herë ato nivele të dikurshme. “Ne në fillim po punojmë për masivizimin dhe më pas do të fillojmë të mendojmë për cilësinë, pasi janë dy procese që unë mendoj se mund të vijnë njëri pas tjetrit. Me kalimin e masivizimin aty do të lindë nevoja për punën më impenjative për trajnerët dhe mjeshtrit që do duhet të edukojnë dhe të stërvitin në mënyrë sa më cilësore të rinjtë, për të synuar që të arrijnë drejt majave të shahut botëror, pasi mundësitë dhe talentet janë realisht.”

Shahu si sporti që zhvillon muskujt e trurit

Për një njeri që ka gjithë jetën që luan dhe merret me shahun është shumë e thjeshtë të përgjigjet për vetitë pozitive që sjell ky sport. Arian Bllaca në këtë pikë ka edhe një mesazh për të gjithë prindërit që t’i nxisin fëmijët drejt shahut, pasi përfitimet në formimin intelektual dhe atë social janë të mëdha. “Ka shumë anë pozitive për të rinjtë që të merresh me shah. Studimet më të fundit kanë treguar se ata fëmijë që luajnë shahun, si atë sportive, por edhe shahun e lirë janë shumë herë më të përmbajtur, janë më të qetë dhe me të matur se fëmijët e tjerë. Përveç këtyre, shahu bën edhe qytetarë më të mirë, pasi një njeri që merret më shah është më i përmbajtur, më i përmbajtur, është një njeri që mendon shumë mirë, para se të bëjë një veprim. Shahu të ndihmon për jetën, pasi kultivon te njerëzit sensin e përgjegjshmërisë. Një fëmijë që luan shah është më racional edhe me kohën. Pra, ndryshe nga të gjithë sportet e tjerë, që të zhvillojë muskujt e trupit, shahu është një sport që vë në punë muskujt e mendjes”, thekson Bllaca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë