Politike

Rindërtimi nis nga fshatrat, Rama i shqetësuar nga opozita: Basha, gaboi

Konferenca ndërkombëtare e donatorëve do të mbahet në Tiranë mes fundit të janarit 2020 ose fillimit të shkurtit. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama i cili tha se koha e mbajtjes do të jetë në varësi të daljes së raportit të dëmeve nga tërmeti. Përmes një videomesazhi, Rama tha se objektivi i qeverisë është që brenda 2020 të gjithë banorët e fshatit që kanë humbur shtëpinë ta gëzojnë Vitin e Ri në një shtëpi të re, ndërsa brenda qershorit 2021 ata që kanë humbur shtëpinë në qytete të jenë në apartamente të reja.

Nga ana tjetër ai theksoi se vazhdojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësitë e çdo kahu dhe niveli për dëmet e shkaktuara pas tërmetit si pasojë e abuzimeve në ndërtim. “Sot janë kryer arrestimet e para, hetimet vazhdojnë” tha Rama.

Kryeministri Rama gjatë lidhjes së tij live në Facebook ka përshëndetur opozitën për vetëpërmbajtjen, por nuk ka lënë pa kritikuar kreun e demokratëve për faktin se refuzoi të ulej në tryezën e bashkëpunimit dhe ka dhënë shenjat e para të një lufte të egër balte.

“Opozita ka qenë inekzistente përjashto daljet rutinë të Bashës, që e përshëndes për një vetëpërmbajtje në momente tejet të vështira për njerëzit që u përpoq të mos bëhej i rëndë me fjalorin e tij. Por nuk mund të mos e kritikoj për refuzimin që të japë një dorë për këtë situatë duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit. Refuzimi në një situatë të tillë është mungesë e plotë përgjegjësie. Meraku im është se opozita, njerëzit rrotull Bashës kanë nisur të japin shenjat e para të një lufte të egër balte”, tha kryeministri. Më tej ai u shpreh se nuk do të lejojë të gjithë ata që janë rreth tij të merren me ta. “Kjo është puna e tyre dhe e Bashës që me siguri do ta marrë shpejt flamurin e asaj lufte. Do përpiqem të mos lejoj edhe njerëzit rreth meje të merren me ta sepse duhet të merremi me sfidën që kemi para. Duhet dhe do të ngrihemi edhe përtej vetvetes duke dhen maksimumin për ata fatkeq që u dëmtuan më shumë se ne të tjerët”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë