Politike

Rindërtimi, entuziazmi i rënë i Kryeministrit për donacionet

Pritshmëritë e Kryeministrit Edi Rama për shumën e parave që pritet të mblidhet nga Konferenca e Donatorëve që zhvillohet këtë të hënë në Bruksel janë ulur ndjeshëm në krahasim me deklaratat që kreu i Qeverisë shfaqi në ditët e para pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Dy ditë pas tërmetit, Rama fliste me bindje se paratë për të rindërtuar të gjitha shtëpitë e prishura dhe strehuar të gjithë banorët që mbetën të pastrehë “do t’i nxirrte nga dheu”.

“Unë paratë do i nxjerr nga dheu i këtij kontinenti dhe i kontinenteve të tjera, ama patriotët janë ata që në këtë moment bëjnë atë që bëri ai burri më i pasur i shqiptarëve” deklaronte Rama, duke përsëritur thirrjen për më shumë donacione nga shqiptarët.

Për këtë qëllim, Qeveria hapi llogari bankare dhe në të gjitha faqet zyrtare të institucione nisi të shfaqej dhe si “pop up” dritarja që të adresonte tek kjo llogari për të dhuruar një shumë sado modeste.

Më 5 dhjetor, në seancën plenare të asaj dite, ku Parlamenti diskutonte edhe buxheti i 2020, Rama tha se Shqipëria ishte në gjendje që të përballonte rindërtimin edhe nëse nga bota nuk merrte asnjë qindarkë.

“Sikur asnjë kokërr leku të mos marrim nga bota ne do ta përballojmë të gjithën, sepse është detyra jonë ta përballojmë dhe jemi më të zgjuar, më të zotë dhe më ta aftë se ju dhe ata që ju kanë hapur vendin këtu”, deklaroi Rama duke replikuar me deputetë të opozitës parlamentare.

Ishin ditët kur fatura përfundimtare për dëmet e tërmetit nuk kishte dalë ende dhe kur përllogaritjet më pesimiste e çonin dëmin deri nga 250 mln, deri në 500 mln euro.

Me qëllim mbledhjen e fondeve, Kryeministri udhëtoi në dhjetor në drejtim të Stambollit me ftesë të Presidentit turk, Recep Taip Erdogan për të kërkuar fonde tek vende te Konferencës Islamike. Në kthim, Kryeministri u shpreh optimist dhe se kishte marrë mbështetjen e vendeve të kësaj konference. Megjithatë, sot nuk ka një shifër se sa donacione janë dhënë nga vendet anëtare të kësaj konference që iu adresua Rama.

Ekspertët vlerësonin në terren faturën e dëmeve, ndërsa Kryeministri këmbëngulte se paratë do të siguroheshin. Ai vijoi fushatën dhe deklaronte se solidariteti ndërkombëtar ka qenë i jashtëzakonshëm. Kryeministri nënvizoi se, përveç Europës, mbështetje ka ardhur edhe nga Turqia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli.

Në fillim të shkurtit u publikua raporti përfundimtar i faturës së tërmetit, që shkonte në rreth 1 miliardë euro, dyfishi i parashikuar në skenarin më të keq pas ditëve të para të tërmetit.

Megjithatë, Rama foli për shumë që nuk do të jetë vetëm “simbolike” dhe pritshmëri të kënaqshme.

“Kemi këtë konferencën të hënën, të shohim se çfarë do të marrim. Nuk është se presim të mbyllen të gjitha, por kemi punuar me kontakte me udhëtime, me takime edhe kemi një ndjesi të mirë, që nuk do të jetë diçka thjesht simbolike, apo shumë nën nën pritshmëritë. Pritshmëria ime është që të kemi një mbështetje që të na japë mundësinë që bashkë me fondet që kemi vendosur vetë dhe nga dy ide të tjera që do i vendosim në lëvizje pas pak ta plotësojmë nevojën edhe ta shfrytëzojmë këtë moment, këtë plagë për ta bërë shumë më mirë dhe të fortë organizimin më pas”, deklaroi ai.

Pritshmëritë e Qeverisë shqiptare në konferencën e donatorëve të organizuar nga BE nuk janë që të sigurojnë të gjithë këtë shumë, por të arrihet një masë që vlerësohet kritike. Por, edhe kjo u duk e zbehur në fundjavë. Të shtunën, Kryeministri Rama tha se kishte një pritshmëri të caktuar, pa përmendur ndonjë shifër.

“Në raport me konferencën, kam një pritshmëri të caktuar, që nuk bëhet fjalë për të përmbushur të gjitha nevojat, por mbetemi në një nivel që sado modest të mund të ketë një peshë në proces. Nëse realizojmë këtë jemi të kënaqur, nëse shkojmë përtej kësaj do të jemi të lumtur”, deklaroi Rama.

Niveli që kënaq Qeverinë shqiptare shkon nga 300 mln euro deri në 450 mln euro. Këto janë shifrat e cituara nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj që është pjesë e delegacionit shqiptar në këtë konferencë donatorësh. Ahmetaj thotë se nëse shifra do të jetë më e ulët se 300 mln euro do të ketë vështirësi në rindërtim dhe tejzgjatje të procesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë