Futboll

Rikuperim në kohë rekord, Mbape do jetë gati në Ligën e Kampionëve

Pas atij dëmtimi të tmerrshëm, dukej një hipotezë e parealizueshme, por tani në Francë besojnë vërtet: Kilian Mbape mund të jetë gati për sfidën e “Final Eight” të Ligës së Kampionëve kundër Atalantës më 12 gusht. Sipas “L'Equipe”, që e ka këtë lajm në faqe të parë, sulmuesi i PSG-së po djeg të gjitha etapat e rikuperimit të kaviljes së dëmtuar në finalen e Kupës së Francës kundër St.Etienit.

E përditshmja prestigjioze franceze citon si burim një familjar të Mbape, i cili është shprehur: "Ka 90% mundësi të grumbullohet për atë ndeshje”. Sulmuesi është parë në qendrën stërvitore të PSG-së të ecë pa paterica që të mërkurën, vetëm 4 ditë pas ndërhyrjes-killer të Perrin, që futi në ankth të gjithë tifozët parisienë. Të premten sulmuesi ishte në tribunën e “Stade de France”, ku ndoqi nga afër fitoren me penallti të skuadrës së tij ndaj Lionit në Kupën e Ligës. Ai zbriti në fushë për të festuar me skuadrën pa shfaqur asnjë problem në ecje.

“L’Equipe” bën me dije se rezultatet e analizave klinike dhe radiologjike ishin pesimiste në fillim brenda klubit parisien. U fol për tri javë stop, por situata tani është shumë më ndryshe. Në këtë moment është shumë e rëndësishme edhe dëshira e madhe e vetë lojtarit për të luajtur. Ai do të bëjë gjithçka që të paktën të jetë në listën e të grumbulluarve më 12 gusht. Sigurisht, Mbape nuk do të jetë në 100% të formës, por nëse trajneri Tuhel e ka në stol, mund të jetë një “armë” e fortë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Dhe ky është një problem për Gjimshitin me shokë.
Burimi: L’Equipe/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë