Nga Gazeta ‘Si’-Yuri Kim rikthehet në Tiranë pas afro 8 muajsh nga dita e largimit si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kim do të jetë në kryeqytetin shqiptar jo për turizëm apo nostalgji, por si pjesë e delegacionit që do të shoqërojë Antony Blinken në vizitën e tij të parë në Shqipëri.
Diplomatja 52 vjeçare pas lënies së detyrës si ambasadore në Tiranë shërben në Departamentin e Shtetit si Zëvendësndihmës Sekretare Kryesore për çështjet e Europës dhe Euroazisë (Principal Deputy Assistant Secretary). Pikërisht për këtë funksion ajo do të jetë pjesë e stafit që do të shoqërojë Blinkenin në Shqipëri në takimet me krerët e shtetit shqiptar, e ku më interesanti do të jetë ai me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.
E themi më interesanti jo vetëm për shkak se Shtetet e Bashkuara janë sponsori kryesor i reformës në drejtësi, jo vetëm se zonja Kim u investua fuqishëm në zgjedhjen e Dumanit, por kryesisht për faktin se takimi mbahet në një situatë të veçantë, kur thuhet se mazhoranca po mendon hapa për të kufizuar rolin e SPAK, apo siç thonë disa për ta vënë atë në kontroll parlamentar. Diçka kjo e mohuar publikisht nga socialistët, por po aq publikisht e parë me shqetësim nga ndërkombëtarët.
Yuri Kim shërbeu si ambasadore e Shteteve të Bashkuara për gati 3 vite e gjysëm, nga janari i vitit 2020 deri në qershor të vitit 2023. Përveç investimit në ngritjen e institucioneve të reformës në drejtësi, ajo mbahet mend edhe për betejën politike me atë që quhet PD e rithemelimit dhe Sali Berishën të shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në majin e vitit 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.