Libra

Rikthehet “Zonja Bovari”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me botimet OMBRA GVG dhe me Ambasadën Franceze në Shqipëri, organizuan në ambientet e Qendrës takimin “Rikthimi i Bovarisë”, kushtuar botimit të veprës së Gustav Flober, “Zonja Bovari”, në një përkthim të ri.

Ky rikthim i “Zonjës Bovari” është plotësuar me pjesën e gjyqit që u mbajt ndaj kësaj vepre dhe vjen nën përkthimin e Çlirim Gegës.

Botuesi i veprës, Gëzim Tafa, shprehu rëndësinë që ka ripërkthimi si një akt i domosdoshëm që lidhet me zhvillimin e gjuhës, kujdesi që është shfaqur ndaj kësaj kryevepre dhe shtojca që përmban procesin gjyqësor.

“Është një libër që ngacmon një mendim të caktuar jo vetëm letrar, por edhe në kontekst historik dhe më tej. Zonja Bovari vjen si një guxim në letërsinë franceze për të thyer jo vetëm skemat, por edhe për t’u qasur me një frymëmarrje të re. Vepra vjen e plotësuar duke hyrë edhe në raport më të thellë, pasi Floberi guxon të prekë një temë delikate për kohën, e cila ka të bëjë jo vetëm me sensualitetin, me ndjenjat e gruas, por edhe përtej kësaj, gati-gati edhe seksualitetin. Për shkak të kësaj Ema Bovari bëhet shembull i një gjyqi, pasi shteti nuk mund të përpijë dot lejimin për lexuesit të kësaj vepre”, shprehet botuesi i veprës, Gëzim Tafa.

Takimi "Rikthimi i Bovarisë"

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, u shpreh për mbështetjen që ky institucion në bashkëpunim me Ambasadën Franceze po japin ndaj sjelljes së këtyre veprave të rëndësishme të letërsisë frënge në gjuhë shqipe dhe projektet që do të vazhdojnë në mbështetje të botuesve.

Për shkrimtarin Besnik Mustafaj, një njohës i mirë i kulturës franceze, ky botim me pjesën e gjyqit ka një rëndësi të veçantë.

“Botimi i pjesës së gjyqit ka një rëndësi, sepse tërheq vëmendjen e opinionit publik. Jemi në Francën e shek. XIX, një Francë shumë konservatore, dhe gjërat zgjidhen në gjyq. Dhe gjykata nuk mban as anën e shtetit dhe as anën e kishës, dhe mban anën e progresit”, u shpreh Mustafaj.

Të ftuar në aktivitet që folën rreth kësaj vepre dhe rëndësisë së saj ishin edhe botuesi Petrit Ymeri, poetja Mimoza Ahmeti, si dhe studiuesja dhe pedagogia e Letërsisë, Anila Mullaj. Po ashtu të pranishëm ishin edhe studentë të Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë.

“Zonja Bovari” është kryevepra e tij e Gustav Flober. Ema Bovari ëndërronte një dashuri të zjarrtë që do ta largonte nga monotonia e pajetë e mjedisit provincial dhe të përjetonte emocionet e një jete të vrullshme bashkëshortore. Por kur përballet me një bashkëshort aspak emocional, ajo hidhet në krahët e dy dashurive të tjera, duke shkelur kështu pabesisht kurorën bashkëshortore. Ky veprim i kushton asaj rrënimin dhe më pas vetëvrasjen.

Ky libër theu shumë tabu të kohës dhe shteti dha urdhër që të censurohej. Por Flober, si artist, nuk dëshironte që vepra e tij të humbiste mesazhin, dhe kështu nuk pranoi. Flober do të thirret në gjyq sepse vepra ishte shumë e rrezikshme për qeverinë, por gjyqi pati një ndikim të kundërt për librin. Pas përfundimit të tij, libri pati një sukses të padiskutueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë