Futboll

Rikthehet kupa më e rëndësishme, 32 skuadra ëndërrojnë finalen e Stambollit

Kanë kaluar pak më shumë se dy muaj nga fitorja e Bayern, dhe tashmë rikthehet Champions,  trofeu në dëshirën dhe mendjen e 32 skuadrave që, duke filluar nga mbrëmja e sotme, do ti japin start fazës së grupeve. Jo të gjitha skuadrat kanë kualitetin për ta ëndërruar, por kur luhet një kompeticion kaq i rëndësishëm, është e drejtë që ti lesh mënjanë racionalitetet e parashikimet.

Pirlo dhe Lucescu

Që këtë mbrëmje janë të shumta motivet që e bëjnë këtë natë startuese emocionuese. Sfida mes debutuesit, në pankinë, Pirlo, e njeriut që e zbuloi, në fushë, 25 vjet më parë. Dinamo Kiev-Juventus: Lucescu kundër të shkuarës së tij e një të tashme që sheh nxënësin e tij të çojë përpara idenë për futbollin ofensiv edhe në një fushë të vështirë si ajo ukrainase. Por kjo është edhe nata e sfidës mes Këpucës së Artë në fuqi, Immobile, e bomberit të muajve të fundit, Haaland, reklama më e mirë për sfidën Lazio-Borussia Dortmund.

Immobile dhe Haaland

Duhet kuptuar edhe vlera reale e Barcelonës së Koeman, në Camp Nou kundër Ferencvaros të Rebrov, nxënësi i kolonelit legjendar Lobanovski, e Leipzig të Nagelsmann, zbulimi i edicionit të kaluar e kryesues aktual në Bundesliga, i impenjuar në shtëpi kundër turqve të Basaksehir, edhe pse sfida më interesante është ajo mes finalistëve të dy muajve më parë, Psg, e Manchester United.

Mbrëmja e të mërkurës nuk është më pak joshëse. Bayern Mynich -Atletico Madrid i ngjan një finale të parakohshme, ashtu si nxit kuriozitet debutimi në Europë (në këtë rast ndaj Shakhtar) i një Real Madrid ende në kërkim të identitetit në këtë fillim sezoni. Nesër e ka radhën edhe Inter, në San Siro kundër Borussia Mönchengladbach, në një ndeshje për tu fituar absolutisht, për tu vënë në pozitat komode për avancuar në 1/8. Për tu ndjekur edhe Manchester City-Porto e Ajax-Liverpool, një klasike e futbollit botëror, që luhet në grupin ku Atalanta do të jetë e impenjuar në Danimarkë kundër Midtjylland. Për bergamaskët është rasti i artë për ti treguar Europës se kanë kaluar nga një zbulim në një skuadër me besueshmëri kontinentale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë