Politike

Rikthehet Komisioni anti-Meta, PS (duket) e tërhequr nga shkarkimi

Pas një ndërprerjeje 3-mujore, Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga socialistët për të hetuar veprimtarinë e Presidentit Ilir Meta do të mblidhet këtë të hënë, ku në rend të ditës është edhe marrja në dorëzim dhe shqyrtimi i opinionit të Venecias në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Administrimi, shqyrtimi dhe interpretimi i këtij opinioni pritet që të jetë edhe faza përfundimtare e këtij Komisioni, të ngritur një vit më parë në kulmin e përplasjes Presidencë-Kuvend, që nisi me dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe u bë “tërkuzë” me përplasjet për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Për çështjen e 30 qershorit Venecia ka gjetur tejkalim kompetencash nga ana e Presidentit të Republikës, por në opinionin e saj thotë se shkeljet nuk justifikojnë një vendim kaq ekstrem sa shkarkimin e Ilir Metës. Ndërkohë, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Venecia i dha së fundmi të drejtë Presidentit në përplasjen për radhën e tyre.

Këto zhvillime, por edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese, që ka fjalën e fundit të shkarkimit ose jo të Presidentit duket se kanë tërhequr socialistët nga ideja për të propozuar shkarkimin e Metës. Sinjali është dhënë pak kohë më parë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Shkarkimi i Presidentit të Republikës nuk ka qenë qëllim në vetvete. Komisioni Hetimor parlamentar i iniciuar nga 55 deputetë është një komision që po vijon punën. Ka pasur në objekt të punës hetimore disa çështje të rëndësishme. Opinioni lidhur me çështjen e emërimeve ne Kushtetuese e thotë qartë se ka një vakuum në lidhje me aktin e presidenti duke mos i ofruar mundësi betimi një anëtari për t’u votuar në Kushtetuese. Komisioni i Venecias është i qartë në këtë pikë”, deklaroi Balla në konferencën për shtyp të thirrur pas publikimit të opinionit përfundimtar të Venecias.

Tërheqjen e përforcon së fundmi edhe Ulsi Manja, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar. Ai flet për një reflektim të të gjitha institucioneve që kanë në dorë procesin e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese, pa qenë në gjendje që të japë një përgjigje nëse në fund do të kërkohet shkarkimi, apo jo i Metës.

"Nëse i referoheni opinionit final të Komisionit të Venecias lidhur me Gjykatën Kushtetuese ka një reflektim institucional të palëve për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese si një nga kriteret e vendosura për hapjen e neogciatave me Bashkimin Europian dhe kur them ka reflektim do të thotë KED, Kuvendi dhe Presidenti, nën frymën e atij opinion dhe atyre rekomandimeve do të duhet të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese", deklaroi Manja në një intervistë për Report TV.

Presidenti Ilir Meta gjatë marrjes në pyetje nga Komisioni Hetimor Parlamentar. Gazeta Si

Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Ilir Metës u ngrit më 11 korrik të 2019, ku objekti i tij ishte vetëm shqyrtimi i dekretit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Presidenti Meta ka dalë vetëm në një rast para këtij Komisioni, duke e mbrojtur vendimin se përmes këtij akti kishte shmangur një konflikt social në vend dhe se zgjedhjet monopartiake cenonin parimin e të drejtës për të zgjedhur nga qytetarët.

Pas përplasjes për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, socialistët zgjeruan objektin e këtij Komisioni edhe me këtë çështje. Afati i Komisionit Hetimor përfundon më 30 korrik dhe deri më tani socialistët nuk kanë nënkuptuar në asnjë moment se mund të vendosin zgjatjen e veprimtarisë së tij edhe me 3 muaj të tjerë.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë