Komisioni i Venecias ka publikuar draft-opinionin në lidhje me përplasjen mes Presidentit Ilir Meta nga njëra anë dhe mazhorancës socialiste e Këshillin e Emërimeve në Drejtësi nga ana tjetër për çështjen e emërimëve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Draft-opinioni, që pritet të miratohet në seancën plenare të Komisionit më 18-19 qershor qorton të dyja palët për mungesën e komunikimit dhe vendosjes së një procedure të përbashkët sa i takon radhës së emërimeve në Kushtetuese.
Megjithatë, opinioni anon nga ana e Presidentit Ilir Meta, ku Komisioni e justifikon vendimin e tij për të pezulluar procesin e përzgjedhjes së anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese nga lista me katër kandidatë, që kryesohej nga Arta Vorpsi, megjithëse thekson se baza ligjore e kushtetuese për një vendim të tillë mungonte.
Venecia vë theksin tek mungesa e qartësisë së procedurave që lindën nga rrethanat e veçanta që u prodhuan për emërimin e kandidatit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit të Republikës.
“Një pezullim i tillë nuk parashikohet nga ligji, por ai (pezullimi) ishte reagim ndaj gjendjes së pasigurisë ligjore, që nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi tregoi se Presidenti ende kërkonte dhe dëshironte të ushtronte detyrën e tij të emërimit që gëzon sipas Kushtetutës dhe kjo konfirmohet nga emërimi prej tij i një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit nga Kuvendi”, thotë Venecia në draft-raport.
Draft-opinioni qorton edhe ndryshimin e betimit, duke vendosur në parashikime edhe betimin në distancë. Ekspertët e Venecias thonë se kjo formë betimi nuk parashikohet nga Kushtetuta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.