Lajme

Rikthehet kampionati, “derbi” bregdetar spostohet në Elbasan

Ndeshjet e Kombëtares e lanë një javë pushim kampionatin e futbollit shqiptar, që rikthehet sot në mbrëmje. Java e 8-të e Superiores hapet me ndeshjen Teuta-Flamurtari, “derbin” bregdetar që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Stadiumi “Noko Dovana” i Durrësit ka probleme me fushën dhe drejtuesit e Teutës, në bashkëpunim me FSHF-në, zgjodhën Elbasanin për këtë ndeshje.

Teuta është një nga katër skuadrat kryesuese. Ka 12 pikë, po aq sa Bylisi, Vllaznia dhe Skënderbeu, por në mbrëmje mund ta shohë veten e shkëputur prej tyre në majë të tabelës së klasifikimit. Ekipi i drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi është favorit në letër ndaj Flamurtarit të zhytur në halle dhe me vetëm 2 pikë të fituara në 7 javë kampionat. Durrsakët synojnë vetëm fitoren për të pritur pastaj të qetë ndeshjet e rivalëve të tyre. Ndeshja starton në orën 18:00, luhet me drita, edhe pse në shkallët e stadiumit nuk parashikohet të ketë tifozë.

Nga një ndeshje ems Partizanit dhe Vllaznisë. Gazeta Si, 18 tetor 2019

Katër ndeshjet e tjera të javës së 8-të luhen nesër. Janë dy sfidat më interesante, ato që luhen në Shkodër mes Vllaznisë dhe Partizanit dhe në Korçë mes Skënderbeut dhe Kukësit. Janë përplasje direkte, që ndikojnë në objektivat sezonalë. Një provë force për Partizanin dhe Kukësin, dy pretendentë për titullin kampion që për momentin janë prapa me pikë. Transfertat e nesërme janë delikate për ta, pasi si Vllaznia, ashtu edhe Skënderbeu, që bëjnë pjesë në katërshen kryesuese me 12 pikë, nuk do të hapin rrugë, por do të rezistojnë fort për të ruajtur pozitat.

Tirana pret Laçin në “Selman Stërmasi”, ku trajnerit Mema i kërkohet vetëm fitorja. Laçi vjen me trajner të ri në këtë ndeshje, me Armando Cungun, i cili në fakt e njeh mirë ambientin, pasi ka punuar më parë me kurbinasit. Shkodrani do ta ketë shumë të vështirë ndeshjen debutuese. Bylisi, ekipi që ka surprizuar deri tani me rezultatet dhe lojërat që ka zhvilluar, luan në Gjirokastër me Luftëtarin. Gjirokastritët kanë nevojë për pikë mbijetese dhe do të japin gjithçka për t’i mundur ballshiotët.

Renditja e Superiores. Gazeta Si, 18 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë