Libra

Rikthehet çmimi “Lumo Skëndo”

Në kujtim të 72-vjetorit të ndarjes nga jeta, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit rikthen çmimin “Lumo Skëndo”.

Në një aktivitet të mbajtur në mjediset e saj, QKLL prezantoi çmimin “Lumo Skëndo”, si një çmim i përvitshëm që do të jepet për librin më të mirë studimor/eseistik/publicistik, përkatësisht për vitin 2021.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, ndërsa ka shprehur nderimin ndaj figurës së Mid’hat Frashërit dhe kontributit të tij në letrat shqipe, në studimet historike dhe albanologjike, ka prezantuar edhe jurinë që do të ngrejë punën për përzgjedhjen e këtij çmimi, pjesë e së cilës janë: Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”; Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Dhurata Shehri, zv/dekane e Fakultetit të Gjuhës dhe letërsisë, UT.; Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, UET; Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Në fjalën e tij, drejtori i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, Uran Butka ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj vëmendjes së figurës së Mid’hat Frashërit dhe rolit të tij në historinë dhe kulturën shqiptare, si një njeri që ka jetuar katër kohë historike të Shqipërisë, por gjithashtu foli edhe për kontributin e tij në fushën e letrave shqipe, me shkrimet publicistike dhe me hapjen fillimisht të Bibliotekës "Lumo Skëndo" në Stamboll dhe pastaj të Librarisë "Lumo Skëndo", si një ndër më të njohurat dhe me më ndikim në Tiranë.

Ndërkohë, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha ka ndarë lajmin që Biblioteka Kombëtare ka bërë mbledhjen dhe përgatitjen në një sallë të veçantë në mjediset e kësaj të fundit të bibliotekës personale të Mid’hat Frashërit, si një vlerë bibliofilike dhe historike.  

Profesoreshë Dhurata Shehri është shprehur se puna që kjo juri do të ndërmarrë, në seriozitetin dhe përkushtimin që vetë emri që përfaqëson Mid’hat Frashëri bën të ndikojë në trajtimin me profesionalizëm për veprat që do të përfshihen dhe kritereve që do të ndiqen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë