Lajme

Rikthehen vrasjet në Shkodër, ekzekutohet në makinë biznesmeni

Pas një periudhe qetësie, rikthehen vrasjet në Shkodër. Një 35-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme në qytetin verior, teksa dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri, ndërsa lëvizte me një automjet.

Njarja ka ndodhur rreth orës 16:30 në fshatin Grudë e Re, tek vendi i njohur si fusha e Aviacionit dhe viktima është Ferdinand.Polia 35 vjeç, punonjës i AZDM në Shkodër.

Mësohet se ai fillimisht ka mbetur i plagosur, por me gjithë përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar, ka humbur jetën në spital.

“Sipas informacioneve të para është qëlluar disa herë me armë zjarri teksa po lëvizte me një automjet”, sqaron policia.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj varsjeje dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve.

Autorët kanë djegur motorin pas krimit

Viktima, pronar i një bujtine dhe ish-administator i zonave të mbrojtura në Shkodër është qëlluar nga një person që lëvizte me motor dhe në kokë mbante skafandër.

Mësohet se ndaj biznesmenit 35-vjeçar, Ferdinand Polia, i njohur si Nardi i bujtinave është bërë atentat sapo ai ka dalë nga një servis në fshatin Grudë të njësisë Gruemirë.

Autori ka “derdhur” mbi automjetin tip “Fuoristradë” të 35-vjeçarit rreth 20 plumba të një arme automatike.

Më pas ai ka djegur motorin te “Ura e Mesit” në Shkodër. Ndërkohë, mësohet gjithashtu se Polia në momentin e vrasjes ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, punonjës i servisit që fatmirësisht i ka shpëtuar plumbave.

Viktima njihej si “Nardi i Bujtinave”

I njohur gjerësisht në zonën e Malësisë së Madhe si Nardi i bujtinave, i riu ka në pronësi disa bujtina ku mirëpret turistë në zonën mahnitëse të Thethit.

Ai ka qenë një ndër promotorët më në zë të turizmit në këtë zonë, ndërsa ka ushtruar edhe detyrën e administratorit të Zonave të Mbrojtura të Shkodrës.

Media vendase dhe të huaja kanë shkruar për bujtinën “Polia” dhe kanë përdorur zërin e 35-vjeçarit për të adresuar problematikat dhe shqetësimet e banorëve të Thethit te instancat shtetërore.

Në dhjetor 2017, kur Thethi ishte i bllokuar nga dëbora dhe askush nuk vuri dorë për të hapur rrugën, Nard Polia ngriti alarmin për gjendjen ku ndodheshin bashkëfshatarët e tij në mediat kryesore të vendit.

“Situata në Theth është alarmante, ne jemi totalisht të bllokuar. Ndërkohë shteti nuk është bërë aspak i gjallë, me asnjë lloj mundësie. Në jemi në terr dhe të harruar”, shprehej asokohej ai.

Ai ishte kthyer nga Italia me gjithë vëllain e tij në vitin 2010 dhe nisën në Theth biznesin me bujtinat e zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë