Muzike

Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare

Nga Gazeta Si - Në shtator nis sezoni i dytë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e Javëve Kulturore do të jenë: Britania e Madhe (1 deri në 11 shtator), Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator-2 tetor).

Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i këngëtares shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora.

Javët kulturore ndërkombëtare

Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev.

Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022 është një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës.

E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, kushtuar bashkëpunimit kulturor, ky program dinamik e gjithëpërfshirës, do të krijojë jo vetëm një atmosferë festive, por do të shpërndajë edhe mesazhe paqeje dhe pranimi.

Kryeministri Rama në nisje të këtyre javëve kulturore në Shqipëri do të shprehej se synimi është që këto aktivitete të vijojnë edhe në vitet e ardhshme.

“Këto javë janë një mundësi e mirë për të shpalosur traditat e kulturat e ndryshme, për të shpalosur forma e mënyra shprehjeje të çdo qytetërimi si dhe për të ndërvepruar me kultura të tjera. Si viti i parë që nis ky program është i gjithi në një fazë nisjeje që do të pasurohet me siguri në vitet e ardhshme. Këto aktivitete nuk janë ngushtësisht artistike, por përfshijnë edhe aktivitete më popullore, si p.sh aktivitete në rrugë. Është një program që përfshin të gjitha moshat. Qëllimi është që ky aktivitet të vijojë çdo vit”, do të shprehej kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë