Muzike

Arti i huaj vjen në Tiranë, por arti shqiptar vështirë se çan në botë

Foto e ministres se Kultures

Nga Gazeta Si - Çelet këtë të hënë në Tiranë cikli i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, javë të cilat do të vijojnë deri në fund të vitit në vendin tonë.

Ky cikël i parë vjetor do të nisë me Francën, e do të pasojë me shtete të tjera në javët në vazhdim.

Në konferencën për shtyp të nisjes së këtyre Javëve Kulturore, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti në ambientet e COD, ndërsa shpalosën programin, e cilësuan këtë si një nismë të re të qeverisë për mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve dhe pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet.

Sipas Ramës, synimi është që këto aktivitete të vijojnë edhe në vitet e ardhshme.

“Këto javë janë një mundësi e mirë për të shpalosur traditat e kulturat e ndryshme, për të shpalosur forma e mënyra shprehjeje të çdo qytetërimi si dhe për të ndërvepruar me kultura të tjera. Si viti i parë që nis ky program është i gjithi në një fazë nisjeje që do të pasurohet me siguri në vitet e ardhshme. Këto aktivitete nuk janë ngushtësisht artistike, por përfshijnë edhe aktivitete më popullore, si p.sh aktivitete në rrugë. Është një program që përfshin të gjitha moshat. Qëllimi është që ky aktivitet të vijojë çdo vit”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, duke nisur nga koncertet, te filmat, ekspozitat, por duke kaluar dhe te kulinaria dhe sporti. Ndërkohë do të jenë të pranishme 17 shtete nga SHBA te Lindja e largët përfshirë vendet e Europës.

“Kjo nismë synon të çelë dyert e Shqipërisë për vende me të cilat bashkëpunojmë prej vitesh. Ky program synon të sjellë një mozaik kulturash, për të forcuar dhe për t’i bërë më të prekshme në vendin tonë. Do të përfshijmë dhe kulinarinë dhe sportin. Të parët që hapin këtë udhëtim janë francezët, për të vijuar me radhë me një program të unifikuar nën siglën e Bashkimit Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e përmbyllur me gjysmën tonë, Kosovën, që kulmon në festat tona kombëtare”.

Ndër të tjera, ministrja u shpreh se në fokus të kësaj nisme janë të rinjtë.

“Mbi të gjitha kemi dashur që të rinjtë 18-35 vjeç të jenë më të përfshirë”. Ndërsa një vëmendje të veçantë sipas ministres do t’i kushtohet kinematografisë.

“Thuajse çdo natë do të kemi filma, kjo sepse duam të hedhim më shumë radhë bashkëpunimi mbi kinematografinë. Në gjithë këtë rrugëtim nuk është e përfshirë vetëm Ministria e Kulturës por edhe ministri të tjera, si Ministria e Punëve të Jashtme, apo Ministria e Shtetit për Rininë”.

Sipas Ministres, kjo nismë do të mbështetet me një buxhet prej 100 milionë lekësh, ndërsa edhe vendet pjesëmarrëse do të japin kontributin e tyre financiar për organizimin e javëve përkatëse, që sipas saj kanë barrën më të madhe të financimit.

Ndonëse në Shqipëri, është caktuar një fond për të promovuar kulturat e tjera, që sipas ministres sjell vlera të mëdha në shoqërinë shqiptare, ende nuk kemi një promovim të anasjelltë të kulturës tonë në këto vende.

“Nisma në drejtimin e anasjelltë, ky është një synim i joni në avancë. Duhet akoma më shumë bashkëpunim që të kemi promovime të anasjella, për të përçuar kulturën tonë jashtë”, u shpreh ministrja Margariti.

Javët kulturore ndërkombëtare që nisin sot, do të vijojnë edhe në fund të qershorit, për të rinisur sërish në shtator. I gjithë ky cikël do të përfundojë në nëntor me Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë