Art dhe Kulture

Rikthehen “Friends”

15 vite pas serisë së fundit, “Miqtë” do të ribashkohen për njëherë të vetme për të përmbushur pjesërisht kërkesën e miliona fansave të brezit të viteve ’90 dhe fillimit të 2000, që prej kohësh u janë lutur që të rikthehen me serialin e famshëm.

Lajmi është një gotë “gjysmë-plot” për fansat, pasi gjashtë miqtë, Jennifer Aniston, Courteney Cos, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc, Matthew Perry dhe David Schwimmer kanë rënë dakort që të bëhen bashkë në një shfaqje të vetme premierë dhe pa skenar për përurimin e shërbimit “HBO Max”.

Lajmi ishte konfirmuar fillimisht nga HBO, ndërsa aktori Perry e përforcoi përmes një postimi në Instagram. “Po ndodh!”, shkruan ai nën një foto që tregon aktorët nga një poster i viteve ’90. Pjesa tjetër e aktorëve e rishpërndanë këtë postim.

https://www.instagram.com/p/B82ExDppJ3R/?utm_source=ig_embed

“Friends” mbajnë rekordet e shikueshmërisë në historinë e serialeve amerikane. Episodi i parë u transmetua në vitin 1994 dhe episodi i fundit u mbyll dhjetë vite më vonë, në 2004. Pikërisht episodi i fundit vendosi rekordet me 52.5 milionë ndjekës në SHBA, duke u bërë episodi më i ndjekur në historinë e serialeve amerikane.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 15 vite që prej episodit të fundit, seriali vijon të mbetet i suksesshëm. Në Netflix, “Friends” ishte seriali i dytë më i ndjekur për vitin 2018, ndërkohë që nivele të larta shikueshmërie pritet që të raportohen edhe për 2019.

Zhurma për një ribashkim të “Miqve” ka qenë e përhershme që prej 2005, por ajo u përshkallëzua në nëntor të vitit të kaluar, kur Jennifer Aniston postoi në Instagram një foto të të gjithë grupit.

https://www.instagram.com/p/B3o8vWDhlOh/?utm_source=ig_embed

HBO Max, një shërbim i ri “pay per view” që pritet të fillojë në muajin maj me shfaqjen e ribashkimit të “Friends”. Kompania ka blerë të drejtat për 425 milionë dollarë.

“Ma merr mendja se mund ta quanin një ribashkim. Po ribashkohemi me David, Jennifer, Courteney, Lisa, Matt dhe Matthew për një speciale të HBO Max, që do të transmetohet së bashku me të gjitha episodet e serialit”, deklaroi Kevin Reilly, shefi prodhimit i HBO Max.

Ai shtoi se ribashkimi do të rreket që të kapë shpirtin e kohës, ku “miqtë dhe shikuesit takohen së bashku në kohë reale”.

“Friends” mbetet edhe në Shqipëri njëri prej serialeve më të dashura dhe më të ndjekura, ndërkohë që në botë shumë personazhe kanë deklaruar se kanë mësuar anglishten falë këtij seriali. Njëri prej tyre është edhe trajneri i Liverpulit, gjermani Jurgen Klopp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë