Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpall procedurën e garës për portin “Marina Limoni” në Sarandë.
Projekti do të ndërtohet me koncesion sipas financimit me Partneritet Publik Privat. Vepra do ti lihet investitorit për 35 vite.
Sipas ministrisë , toka në të cilën do të punohet, ka një sipërfaqje prej gati 6,000m², fare pranë vijës bregdetare.
Projekti i portit duhet të përfshijë investime të rëndësishme që lidhen me akomodimin e jahteve, sheshe vendqëndrimi për to jashtë sezonit, dushe, tualete, rrymë elektrike, pikë të furnizimit me karburant.
Lidhur me kriteret që do të merren parasysh gjatë garës, ministria sqaron se kushtet teknike do të vlerësohen me 35 pikë maksimalisht, kriteri plani i mirëmbajtjes 15 pikë, tarifa konceisonare 15 pikë, kapaciteti financiar 15 pikë, ndikimi social dhe mjedisor 10 pikë, koha e ndërtimit 10 pikë.
Afati përfundimtar për shprehjen e interesit është deri ne 30 gusht.
Këshilli i Ministrave vitin e kaluar përmes një vendimi ia kaloi menaxhimin e Portit të jahteve në Sarandë për 20 vite një kompanie private kundrejt një plani investimesh 25 milion euro.
Qëllimi i kontratës përfshinte ngritjen e një kantieri me kushte ndërtimore-teknologjike bashkëkohore, përmirësimin e infrastrukturës së portit, shërbim mirëmbajtjeje, dekonstruksion të mjeteve detare lundruese, me qëllim rritjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve dhe mirëmbajtjen e mjeteve lundruese.
Por me marrjen e menaxhimit të portit, koncesionari vendosi në atë kohë edhe një taksë private mbi naftën me të cilën furnizoheshin jahtet e turistëve.
Denoncim e ka bërë në atë kohë deputetja e partisë Demokratike Nada Meçorapaj, e cila shkruante në llogarinë e saj në facebook se “koncesionari po verpon në mënyrë të jashtligjshme, pasi marrëveshja thotë që koncesionari nuk vendos e as rrit apo ul çmime. Por prej datës 6 korrik, ka vendosur një tarifë prej 0.06 euro/liter për çdo jaht që furnizohet.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.