Libra

Ridvan Dibra, kandidat për çmimin letrar “Balkanika”

Nana djalin ka qorrue/me gjaks t’burrit me u martue…Mbi këtë këngë të lashtë shqiptare, shkrimtari Ridvan Dibra ka ngritur fillin e romanit “Legjenda e vetmisë”, një roman psikologjik, mbi vetminë dhe hakmarrjen, me në qendër Balën, që vuan vrasjen e mistershme të të atit.
Ky roman, e bën autorin kandidat të ccmimit “Balkanika” për vitin 2017, duke përfaqësuar letrat shqipe në ceremoninë që këtë vit do të organizohet më 15 dhjetor, në Bukuresht të Rumanisë. Juria ndërkombëtare do të mblidhet për të diskutuar dhe vendosur për veprën më të mirë të botuar në rajonin e Ballkanit, në datat 13-15 dhjetor.

Përfaqësuese e Shqipërisë në jurinë ndërkombëtare është studiuesja e re, Bisej Kapo.Dibra,është autor i më shumë se njëzet librave në prozë, poezi, eseistikë e studime letrare dhe njihet si një prej zërave të letërsisë shqipe pas viteve ’90. Shkrimtarët që konkurrojnë për Balkanika 2017, veç kandidatit shqiptar janë autorja bullgare Aksinia Mihaylova, me “Ndryshimi i pasqyrave”, grekja Rhea Galanaki, me veprën “Poshtërimi i fundit”, Ayhan Geçgin nga Turqia, me romanin “Rrugëtimi i gjatë”, Serbia përfaqësohet me autorin Srđan Srdić dhe romanin me titull “Djegie”, ndërsa vendi organizator i këtij viti, Rumani, përfaqësohet me Eugen Uricaru-në dhe romanin “Pesha e një engjëlli”. “Balkanika” është konsideruar si çmimi letrar më i rëndësishëm për letërsinë ballkanike.
Krijimtaria e Ridvan Dibrës, përfaqësues i letërsisë shqipe në këtë konkurs, është përkthyer në disa gjuhë dhe përfshirë në disa antologji brenda e jashtë vendit. Ai është gjithashtu fitues i disa çmimeve kombëtare e mbarëkombëtare. Me romanin “Legjenda e vetmisë” ai fitoi çmimin “Rexhai Surroi” (2012), si romani më i mirë i botuar në hapësirën mbarëshqiptare. Në vitin 2018 ky roman u përkthye në frëngjisht me titullin “Le Petit Bala. La Légende de la solitude”, me përkthimin e Evelyne Noygues, me botues “Le Ver à Soie”. Të tjerë autorë shqiptarë që e kanë fituar këtë çmim janë Fatos Kongoli, në vitin 2002, Ismail Kadare më 2009-ën dhe Bashkim Shehu më 2015-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë