Ka ndodhur

Riatdhesimet nga Siria, SPAK do të marrë në pyetje Floresha Rashën

Pas kthimit prej Sirisë një ditë më parë, SPAK do të marrë në pyetje Floresha Rashën, gruaja e cila u kthye së bashku me 3 fëmijët e saj nga kampi Al-Hol i Sirisë.

Përmes marrjes në pyetje, Prokuroria e Posaçme do të verifikojë udhëtimin e tyre nga Shqipëria në drejtim të Sirisë dhe në drejtim të destinacionit final në Siri.

SPAK pritet të pyes për rekrutuesit, financuesit dhe kush kanë qenë njerëzit që i kanë kaluar ata nga Shqipëria, në Turqi, me destinacion final Sirinë.

Floresha Rasha është e veja e Diamant Rashës, shqiptari që u vra në luftë në Siri. Nga ana tjetër, fëmijët e saj dhe po ashtu edhe Endri Dumani si dhe të gjithë personat nën 18 vjeç që kanë qenë në kampin Al-Hol, kur kthehen në Shqipëri nuk merren në përgjegjësi penale.

Sa i përket Floresha Rashës, do të hetohet nëse ajo ka qenë e përfshirë për 7 vite në Al-Hol në akte terrori apo jo. Në fakt ajo ka plagë në trup, por ia doli që të transportohet në Shqipëri.

Një ditë më parë Kryeministri Rama deklaroi se kush ka kryer krim do të përballet me drejtësinë me përgjegjësi personale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë