Bota

Rezoluta në OKB për armëpushim humanitar në Gaza shtyhet përsëri

Nga Gazeta 'Si'- Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu sërish votimin për një rezolutë të re që synon të mundësojë shtimin e dërgesave me ndihma për banorët në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e bëri të qartë se ofensiva ushtarake do të vazhdojë deri në shkatërrimin e Hamasit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për operacionin e Izraelit.

Votimi për një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të ndihmonte në shtimin e dërgesave me ndihma në Rripin e Gazës, është shtyrë sërish.

“Besoj se palët që kanë dorë në këtë dokument po angazhohen në nivelet më të larta diplomatike në përpilimin e një rezolute që do të kishte ndikim në terren. Diplomacia merr kohë”, thotë Lana Nusseibeh, përfaqësuese e përhershme e Emirateve të Bashkuara Arabe në OKB.

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur të drejtën e vetos ndaj dy rezolutave të mëparshme që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, për shkak të shqetësimeve se kjo do të mundësonte riorganizimin e Hamasit.

Militanatët e këtij grupi kryen një sulm të befasishëm terrorist kundër Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng më shumë se 240 shtetas izraelitë dhe të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë