Politike

Rezoluta, Meta: Të izolojmë të çmendurit, sa më shpejt data e re zgjedhjeve

Një ditë pas votimit të rezolutës me 100 vota në parlament kundër dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Meta doli për të dhënë disa mesazhe duke theksuar se vendimi i tij është në fuqi.
Si në rast kur ka konflikte politike, Meta shfrytëzoi aktivitetin e organizuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve te Gjakut për të dhënë mesazhin se dekreti i tij për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve nuk preket nga askush. Sa i përket votimit të Rezolutës, kreu i shtetit dha një qëndrim të fortë, duke u shprehur se nuk është zgjedhur nga ky Parlament, i cili po kontestohet ashpër nga opozita.
“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament plotësisht legjitim. Natyrisht presidenti i takon vetëm republikës dhe republika i takon vetëm qytetarëve. Besoj se jam shumë i qartë. Shqipëria është republikë, presidenti i takon republikës dhe njëkohësisht republika i takon vetëm qytetarëve”, komentoi kreu i shtetit vendimin për rezolutën.
Kreu i shtetit u shpreh se shumë shpejt do të ketë një datë të re zgjedhjesh, dhe se nuk përjashtoi thirrjen e konsultave të PS-së dhe PD-së.
“Sa më parë të jetë e mundur për datën e re, po punojmë me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë, e mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin”, theksoi Meta.
Sa i përket dërgimit të dekretit për anulimin e zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor, presidenti e quajti si çmenduri çdo nismë të tillë. “Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundrazi i fton të gjithë që izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëri ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të BE që është objektiv i të gjithë shqiptarëve. Dekreti është në fuqi, dekreti është i detyrueshëm për të gjithë, kush dëshiron të eci në rrugën e paligjshmërisë le të vazhdojë është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim”, tha më tej Meta.
Ai e mbylli qëndrimin e tij se “ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë do të jenë të sigurt se do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe provokojnë stabilitetin demokratik në vend”.
Pas kësaj deklarate ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi nga radhët e mazhorancës. Ministrja e Shtetit për Marrdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali me anë të një postimi në rrjetet sociale, i ka kujtuar presidentin se Shqipëria është republikë parlamentare.
“Zoti Meta, jemi dakord me ju “Shqipëria është Republikë. Presidenti i takon Republikës dhe Republika u takon qytetarëve!”. Pikërisht për sa jemi dakord këtu, ju e keni humbur të drejtën të qëndroni në zyrën e Presidentit. Sepse Presidenti i takon Republikës jo Lulit dhe Monikës”, shkruan Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë