Politike

“Rezerva” gjermane për Xhafajn. Deputeti i Merkel: Dorëheqja, akt pozitiv

Jehona e dorëheqjes së Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm ka mbërritur deri në korridoret e Bundestagut gjerman. Thorsten Frei, raportues për Shqipërinë në grupin më të madh parlamentar në Bundestag, CDU/CSU ka qenë një prej ligjvënësve gjermanë që ka reaguar ndër të parët në lidhje me akuzat ndaj ish-ministrit.

“Në Shqipëri, diskutimet për këtë çështje nuk kanë të sosur. Sidoqoftë, unë e kam theksuar gjithnjë, se thashethemet dhe supozimet e lidhura me zotin Xhafaj edhe për ca kohë do të ishin të papranueshme politikisht në Gjermani”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për Deutsche Welle.

Dorëheqjen e mirëpret dhe e vlerëson si një hap drejt shkëputjes së krimit të organizuar nga politika, megjithëse nuk është fort optimist.

“Unë mendoj se dorëheqja është një tregues tjetër në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkatësisht shkëputjes nga politika. Unë jam optimist i rezervuar, se dorëheqja e Xhafajt është për vendin një hap i vogël pozitiv përpara dhe drejt Europës”, thotë deputeti gjerman.

Lufta kundër korrupsionit, rithekson Frei, do të jetë vendimtare për hapjen ose jo të negociatave qershorin e ardhshëm.

“Unë jam ende shumë i shqetësuar për gjendjen e krimit të organizuar. Kjo pikë do të luajë në fillim të verës së ardhshme një rol shumë vendimtar, kur në tryezë të kthehet sërish çështja e negociatave të anëtarësimit”, deklaron Thorsten Frei.

Pritshmëritë për Sandër Lleshin ja lë kohës, ndërsa DW thotë se pavarësisht goditjes së disa grupeve të organizuara kriminale në bashkëpunim me Gjermaninë, Berlini figurën e Xhafajt e shihte me rezerva për shkak të lidhjeve që kishte vëllai i tij me krimin e organizuar.

Sandër Lleshi mirëpritet nga Gjermania edhe për shkak të detyrës së tij si ish-atashe ushtarak i Shqipërisë në Berlin, por edhe për pastërtinë e figurës dhe njohjen e gjermanishtes dhe Gjermanisë.

Burimi DW

 

Më Shumë