Futboll

Revolucion te Roma, Kumbulla së shpejti do ketë trajner Alegrin

Shumë pak gjëra tregoi Roma në ndeshjen e parë të kampionatit, ku barazoi 0-0 në fushën e Veronës. Pronari i ri, Friedkin, për momentin vetëm ka vëzhguar dhe ka mbajtur shënime. Roma e tij është në një fazë embrionale dhe qartësisht ka nevojë për një faktor rritjeje.

Pa Xhekon, Mkhitarian tregoi gjëra interesante, por është e qartë se nuk mund të bëjë sulmuesin e parë. Trajneri Fonseka aktivizoi Kristanten në qendër të mbrojtjes, pasi Kumbulla sapo ishte veshur verdhekuq. Edhe Pedro nuk mjafton. Në horizont duket revolucioni për një skuadër që sot është e pakompletuar. Largohet Fonseka dhe vjen Alegri, bashkë me Paratiçin, ndoshta jo menjëherë, por shumë shpejt.

Trajneri Masimiliano Alegri. Gazeta Si, 22 shtator 2020

Alegri ka treguar sinjale padurimi, mezi pret të marrë drejtimin e një skuadre prestigjioze. Dan Friedkin ka në kokë një plan preciz: ai kërkon një njeri të fortë për stolin për të komanduar ekipin. Alegri është i tillë dhe mbetet dëshira e parë e pronarëve të Romës. Ai mund të vijë bashkë me Paratiçin, një çift i konsoliduar që te Juventusi, edhe pse aty kishin edhe Marotën.

Për Friedkin, ata do të ishin personat perfektë për të filluar një erë të re. Për momentin është një projekt, Fonseka nuk rrezikon largimin e menjëhershëm, por kalendari nuk e favorizon aspak, me Juventusin e Pirlos përpara. Nëse gjërat precipitojnë, ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e kombëtares do të ishte momenti më i mire për të kuptuar, nëse do të ndodhë revolcioni i tetorit te Roma, apo jo. Gjasat janë të shumta që në krye të Romës së Kumbullës, të vijë Masimiliano Alegri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë