Menaxhim

Reshjet e shiut shtuan prurjet në HEC-e, niveli në Fierzë u rrit me 1 metër

Reshjet e ditës së djeshme(17 shtator) përmirësuan situatën hidrike në liqenin e Fierzës që shërben si rregullator edhe për dy hidrocentralet e mëdhenj mbi kaskadën e Drinit, të Vaut të Dejës dhe të Komanit.

Sipas të dhënave për datën 17 shtator nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) niveli i ujit në liqenin e Fierzës u rrit me 1 metër, në 268 metra mbi nivelin e detit ndërsa prurjet mes ditës së djeshme dhe asaj të sotshme pritet të jenë mes 700-1000 m3/s.

Pika optimale në liqen është 271 metër, minimale 244 metra ndërsa ajo maksimale kur ka reshje të bollshme shkon në 296 metra.

Në hidrocentralin e Komanit kuota dje ka shkuar në 167m ndërsa në Vaun e Dejës 72m.

KESH njoftoi se nga data 11 shtator ishte ndërprerë prodhimi i energjisë elektrike nga HEC-i i Fierzës me qëllim përpunimin e prurjeve anësore në Koman dhe Vau Dejës si dhe krijimin e një rezerve hidrike në Fierzë.

Administratori i KESH, Ergys Verdhi në një intervistë për televizionin Euronews tha se nga parashikimet e sistemit të meteorologjisë,parashikohet se katërmujori i ardhshëm do të jetë i lagësht, gjë që do përmirësojë situatën.

Problematika që ekziston momentalisht sipas tij është që sasia e prodhimit që ne prodhojmë,rreth 24 giga në ditë , mos të tejkalohet me ardhjen e temperaturave të ulëta.

Ndaj, shtoi ai, apeli është që të kursejmë energji në mënyrë që të mos i kalojmë  këto 24 giga dhe të  prodhojmë me anë të rezervës tonë .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë